

Tiranë, 17 prill 2025- Gjykata e Lartë ka rrëzuar këtë të enjte kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, për përjashtimin e treshes gjykuese të përbërë nga Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sander Simoni, nga shqyrtimi i rekursit të tij për masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Vendimi është marrë nga gjyqtari Enton Dhimitri, i cili ka konfirmuar përbërjen aktuale të trupës gjykuese për çështjen në fjalë.
Çështja lidhet me rekursin që Berisha ka paraqitur ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila konfirmoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj tij, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”, ku ai akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë.
Fillimisht, seanca për shqyrtimin e rekursit ishte parashikuar të mbahej të martën e kaluar, por u shty nga Gjykata e Lartë për në datën 22 prill 2025. Në të njëjtën seancë, Gjykata do të shqyrtojë edhe rekursin e paraqitur nga dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi, i cili gjithashtu ndodhet nën masën e sigurisë për të njëjtën çështje penale.
Berisha dhe Malltezi janë nën hetim për aferën e njohur si “Partizani”, ku pretendohet se gjatë privatizimit të ish-kompleksit sportiv në Tiranë, janë kryer shkelje dhe janë përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme nga dhëndri i ish-kryeministrit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd