

Shënoi njërin nga dy golat e barazimit të mbrëmshëm 2-2 ndaj Bayern Munich, ndikoi shumë për kualifikimin në gjysmëfinale të Champions League. Tani pret me qetësi dy përballjet e radhës me Barcelonën, teksa e hedh vështrimin drejt finales së madhe të Champions-it. Lautaro Martinez nuk e fshehu krenarinë e madhe pas eliminimit të gjigantëve bavarezë nga kompeticioni elitar për klube:
"Provoj shumë krenari, kemi përballuar një kundërshtar të madh. Kemi treguar edhe një herë shumë karakter dhe personalitet. Interi është sërish mes katër skuadrave më të mira në Europë dhe merita i takon punës së këtij klubi të madh".
Për gjysmëfinalet ndaj Barcelonës: “I pres me shumë dëshirë. Në Stamboll kemi jetuar një ëndërr, rrugëtimi i këtyre viteve të fundit na ka bërë gjithmonë të besojmë. Edhe tani duam të bëjmë të njëjtën gjë. Duhet të ruajmë gjithmonë përulësinë, kur duhet të mbrohemi, të mbrojmë të gjithë. Ta ndihmojmë njëri-tjetrin".
Për kuptimin e festimit të golit: "Brenda ka shumë punë dhe vuajtje. Kalendari është shumë i ngjeshur, kemi shumë ndeshje të vështira përpara dhe një skuadër pas nesh që nuk dorëzohet në Serie A (Napoli). Po garojmë ende në të gjitha kompeticionet, në nivel të lartë, merita është e gjitha e jona dhe e stafit, e atyre që punojnë çdo ditë në maksimum. Festoj kështu, sepse për mua të shënoj gola është vetë jeta".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






