Transmetuar më 17-04-2025, 09:04

Kryeqyteti i Shqipërisë do të jetë mikpritësi i një ngjarjeje politike më 16 maj, ku liderë të rëndësishëm europianë do të mblidhen në Tiranë për të diskutuar çështje të mëdha politike dhe ekonomike që prekin të ardhmen e kontinentit.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot këtë zhvillim si një moment të jashtëzakonshëm për Shqipërinë dhe një promovim i rrallë në sytë e botës.

Eventi do të mbahet në një hapësirë të gjelbër pranë monumentit të Skënderbeut, ku do të ndërtohet simbolikisht “Shtëpia e Europës”, në kopshtin me të njëjtin emër. Aty pritet të mbërrijnë përfaqësues të lartë nga vende si Britania e Madhe, Turqia, Suedia, Greqia, Ukraina, Spanja dhe Portugalia.

“Shqipëria do të jetë në mendjen e gjithë botës. Do të jetë një promovim fantastik i vendit tonë, një moment i rritjes së kuotave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe një forcim i imazhit të saj si një aktor i rëndësishëm në politikën globale,” deklaroi Rama.

Në fokus të diskutimeve do të jenë temat që shqetësojnë aktualisht Europën: siguria, rritja ekonomike, lufta kundër pabarazisë, si dhe mënyrat për të përballuar koston në rritje të jetesës. Sipas Kryeministrit, ky takim do të shërbejë si platformë për të ndarë ide dhe zgjidhje për disa nga sfidat më të mëdha të kohës.

Pjesëmarrja e kancelarit të ri të Gjermanisë, për herë të parë në një format multilateral, do të jetë gjithashtu një pikë kyçe e takimit. Rama e konsideroi këtë si një tjetër tregues i rëndësisë që merr Shqipëria në skenën ndërkombëtare.

“Ky takim do të jetë një mundësi e shkëlqyer për Shqipërinë të rrisë dinjitetin e flamurit kombëtar dhe të pozicionohet fuqishëm në politikën europiane,” përfundoi Rama. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit