Transmetuar më 17-04-2025, 09:01

Berisha në Njësinë 5 të Tiranës: Nëse rikthehemi në pushtet më 11 maj, TVSH 15% dhe energjia për bizneset e vogla 6 lekë për kilovat

Tiranë – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim elektoral në Njësinë 5 të Tiranës, ku prezantoi kandidatët e koalicionit "PD – Aleanca për Shqipërinë Madhështore".

Në këtë njësi që prej vitesh njihet si bastion socialist dhe përfshin zonën e ish bllokut të qeverisjes komuniste, Berisha paraqiti një sërë premtimesh ekonomike dhe sociale, duke e cilësuar këtë fushatë si një kthesë për vendin dhe qytetarët e tij.

Gjatë fjalës së tij para mbështetësve, Berisha tha se Shqipëria sot po braktiset masivisht dhe se Partia Demokratike është e vendosur ta kthejë vendin në shpresë, zhvillim dhe drejtësi sociale.

Premtimet kryesore të Berishës në rast të fitores më 11 maj:

TVSH do të ulet në 15%

Tatim fitimi do të zbresë në 10%

Energjia për bizneset e vogla do të jetë 6 lekë për kilovat, nga 18 lekë që është aktualisht

Tavani i përjashtimit nga taksat për bizneset e vogla rritet nga 140 mijë lekë në 180 mijë lekë xhiro mujore

Çmimi për sipërfaqet publike do të ulet nga 1500 lekë në 120 lekë

Zbatimi i një minimumi jetik prej 200 euro për çdo shqiptar në nevojë, me indeksim të përvitshëm

Asnjë rrogë më pak se 500 euro – çdo punëdhënës do detyrohet të ofrojë këtë minimum

Rroga mesatare do të arrijë në 1200 euro

Rrogat e mësuesve do të shkojnë në 1500 euro

Karta e konsumatorit për çdo qytetar me të ardhura nën 200 euro, që do i japë mundësi të blejë ushqime me 20% ulje dhe pa TVSH

Asnjë sipërmarrje nuk do falimentojë, pasi do ketë ulje drastike taksash dhe mbështetje nga shteti

Nxitje për prodhimin vendas në çdo cep të vendit

Zero tolerancë ndaj krimit dhe pastrimi i Shqipërisë nga korrupsioni

Berisha theksoi se këto masa synojnë që çdo qytetar të ndjejë në jetën e përditshme mbështetjen e shtetit dhe drejtësinë ekonomike. Ai përmendi gjithashtu se Partia Demokratike mbetet forca e taksave të ulëta dhe e iniciativës së lirë, por me dhembshuri njerëzore si busull morale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit