

Arsenali ka siguruar një vend në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, pasi ka eliminuar Real Madridin, duke mundur skuadrën e Karlo Ançelotit edhe në fushën e saj.
Pas fitores 3-0 në sfidën e parë, skuadra e Artetës mund të mjaftohej me menaxhimin e rezultatit, por ajo nuk ngurroi të sulmonte as në “Santiago Bernabeu”. Anglezët fituan penallti, por Saka e shpërdoroi ndërsa më pas ishin me fat që gjyqtari anuloi një tjetër që dha në favor të vendasve në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Saka shleu gabimin duke mposhtur Kurtua, por Vinicius nga ana tjetër tundi shpejt rrjetën për barazimin. Me kalimin e minutave shpresat e Realit u shuan pasi nuk po ia dilte të gjente hapësira për të rrezikuar Raja, ndërsa “topçinjtë” në fund gjetën kundërsulmin perfekt me Martinelin, për të vulosur fitoren 2-1 dhe për kaluar në gjysmëfinale se ekipi plotësisht dominues i këtij dueli.
REAL MADRID-ARSENAL 1-2
67′ Vinicius / 65′ Saka, 90’+3′ Martineli
NGJARJET KRYESORE
90’+5’ Mbyllet ndeshja me fitoren 2-1 të Arsenalit.
90’+3’ GOOOL ARSENALI! Kundërsulm perfekt i anglezëve me Martinelin i cili finalizon në mënyrë perfekte.
90’ Gjuan edhe Endrik nga brenda zonës, por nuk gjen portën e anglezëve.
90’ Brahim Diaz gjen hapësirë për të gjuajtur por nuk ka forcën të mposhtë Raja.
88’ Vinicius nga e majta tenton të harkojë në zonë, sfera shkon në duart e Raja.
80’ Një top interesant për Endrik kontrollohet nga Kivior i cili e kthen te portieri.
77’ Trosard merr vendin e Saka në radhët e anglezëve.
75’ Mbape del i dëmtuar nga fusha e lojës, pasi ndrydh kyçin e këmbës, duke i bërë vend Brahim DIaz. Edhe Modriç në lojë në vend të Asensio.
67’ GOOOL REAL MADRID! Vinicius i vjedh topin Saliba dhe gjuan në portën e boshatisur të Raja, duke barazuar shifrat.
65’ GOOOL ARSENALI! Saka gjen hapësirë në qendër dhe i vetëm para Kurtua nuk gabon, duke u dhënë avantazhin anglezëve.
61’ Sebajos, Garsia dhe Endrik hyjnë në fushë për Rodrigo, Alaba dhe Lukas Vaskez në radhët e Realit.
57’ Rodrigo gjuan direkt në portë nga goditja e këndit, Raja devijon mbi traversë.
54’ Niset një kundërsulm i shpejtë i Realit, Vinicius provon nga e majta por gjuan në duart e Raja.
53’ Goditja nga këndi sjell gjuajtjen me kokë të Mbape, i cili nuk gjen katërkëndorin.
52’ Bellingam hyn në zonë në të djathtën, por ndalet në momentin e fundit.
51’ Pas një goditje dënimi Merino gjuan me kokë, por çon topin larg portës së Kurtua.
46’ Nis pjesa e dytë pa zëvendësime te skuadrat.
45’+7’ Mbyllet pa gola pjesa e parë.
45’+3’ Martineli shfaqet në të majtën, gjuajtja e tij diagonale ndalet nga Kurtua. 45’ Reali është prej shumë minutash në sulm, duke kërkuar të gjejë një të çarë në prapavijën e anglezëve, por mungojnë gjuajtjet drejt portës së Raja.
35’ Pas një goditje dënimi, topi shkon te Timber i cili gjuan por nuk gjen portën madrilene. 27’-28’ Pas 4 minutash pritje, gjyqtari shkon të shohë vetë pamjet dhe në fund vendos të anulojë penalltinë. 23’ Penallti për Realin! Pas një harkimi në zonë, topi shkon jashtë por kryesori bën shenjë nga pika e bardhë, duke sanksionuar një mbajtje të Rajs ndaj Mbape.
20’ Bellingam nga e majta pason në qendër, por Rodrigo nuk ia del të devijojë para Raja.
13’ Kurtua pret penalltinë e Saka!
11′ Penallti për Arsenalin! Gjyqtari ftohet nga VAR-i të shohë një episod në zonën e madrilenëve, ku Asensio ndal Merinon. Gjyqtari sheh pamjet dhe bën shenjë nga pika e bardhë e penalltisë.
7’ Përsëri Saka me një gjuajtje nga jashtë zonës, Kurtua grushton sferën.
6’ Saka shfaqet në sulm në të djathtën, gjuajtja e tij kalon pasqyrën e portës dhe shkon jashtë.
4’ Alaba ndëshkohet shpejt me të verdhë pas një faulli ndaj Saka.
2’ Reali e nis menjëherë në sulm me një pasim te Vinicius që Mbape e kthen në portë, por sulmuesi francez është në pozicion jashtë loje. 1’ Nis dueli në “Bernabeu”.
FORMACIONET ZYRTARE
REAL MADRID: Kurtua; Lukas Vaskez, Asensio, Rydiger, Alaba; Valverde, Tçuameni; Rodrigo, Bellingam, Vinicius; Mbape. Trajner: Karlo Ançeloti
ARSENAL: Raja, Saliba, Kivior, Ljuis-Skelli, Timber, Partej, Rajs, Odegard, Saka, Martineli, Merino. Trajner: Mikel Arteta
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






