Transmetuar më 16-04-2025, 22:43

Banorët e rrugës Bardhyl ankohen në emisionin Fiks Fare se fqinji i tyre 73-vjeçar është kthyer në problem madhor për ta.

Ata shprehen para kamerës së Fiks Fare se 73-vjeçari ka shkatërruar banesën e tij duke dëmtuar edhe strukturën e pallatit. Nga banesa e të moshuarit vjen erë e keqe dhe zhurma të padurueshme për fqinjët.

Banorja që jeton në katin e sipërm shprehet se jetesa në atë pallat është bërë e vështirë. Ajo mes fjalësh shton se janë ankuar disa herë nëpër institucione të ndryshme që t’i jepet një zgjidhje të moshuarit për të mirën e të gjithë komunitetit. Banorja thotë se janë ankuar në policinë e Tiranës disa herë, gjithashtu kanë njoftuar dhe Qendrën e Shëndetit Publik Mendor Tiranë, pasi sjelljet e të moshuarit sipas banorëve tregojnë se ai vuan nga shëndeti mendor. I moshuari është i braktisur dhe nuk ka asnjë familjarë të kujdeset për të.

Fiks Fare u interesua për denoncimet që kanë bërë banorët e pallatit në Komisariatin e Policisë nr. 4 në kryeqytet.

Ky komisariat në përgjigjen që i dha Fiks Fare sqaron se për 73-vjeçarin janë bërë 2 kallëzime nga banorët. I pari në 27 mars, ku banorët denoncuan prishjen e qetësisë publike nga fqinj i tyre, ndotjen e ambienteve të përbashkëta dhe shqetësimin për rrezikun e dëmtimit të strukturës së pallatit.

Kur policia ka shoqëruar në komisariat qytetarin 73-vjeçar, kanë vërejtur se ai ka shfaqur shenja agresiviteti dhe nervozizmi, të ngjashme me simptomat e sëmundjeve të shëndetit mendor, për këtë arsye është shoqëruar në ambientet e spitalit psikiatrik.

Përsëri policia, e ka shoqëruar në urgjencën e spitalit psikiatrik 73-vjeçarin në 7 prill 2025. Sipas policisë zotëria është në spitalin psikiatrik nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohe që policia e ka referuar këtë rast në Prokurorinë e Tiranës dhe ka njoftuar IMT-në për të verifikuar nëse është dëmtuar struktura e pallatit ku ai banon, sipas pretendimeve të banorëve të tjerë.

Fiks Fare u interesua për gjendjen e 73-vjetarit pranë qendrës komunitare të shëndetit mendor në Tiranë. Më pas iu drejtuam Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Në përgjigjen e tij, ky institucion bën me dije se 73-vjeçari është paraqitur në urgjencën e psikiatrisë i shoqëruar nga policia dhe ambulanca, më pas është mbajtur në ambientet e pranimit , ku i është nënshtruar një terapie me sedativë.

Gjatë kohës së qëndrimit të tij në urgjencën e QSUT është paraqitur një e afërme, e cila nuk ka qenë në dijeni të problemeve të shëndetit mendor që ka 73 vjeçari.

Të gjendur në këto kushte, mjekët e kanë vendosur që 73-vjeçari me iniciale D.B nuk plotëson kriteret për shtrim të pavullnetshëm, por pacienti do të shkojë çdo ditë në Urgjencën e Psikiatrisë për vlerësim dhe monitorim të gjendjes së tij mendore deri në stabilizimin e saj.

Gjithashtu QSUT shton se ka ka njoftuar Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor për ndjekjen e ecurisë edhe nga ana e tyre në banesën e pacientit, për të kaluar në një terapi mbajtëse.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit