Transmetuar më 16-04-2025, 22:41

Një nga zhvillimet më të rëndësishme infrastrukturore që pritet të ndikojë ndjeshëm në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në zhvillimin ekonomik të vendit është rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe degëzimi drejt aeroportit të Rinasit. Për ata që nuk e dinë, nuk bëhet fjalë për linjë të re, por vetëm rikonstruksion i rrjetit ekzistues.

Megjithatë, stacione të reja po ngrihen, në përshtatje me ndryshimet demografike. Gjithsesi ato nuk mbulojnë shumë zona të populluara vitet e fundit.

Aktualisht, më shumë se 85% e punimeve për linjën Tiranë–Rinas–Durrës kanë përfunduar. Qeveria thotë se ky projekt do të dorëzohet brenda vitit 2025, për t’u vijuar më pas me ndërtimin e stacioneve dhe elektrifikimin.

“Në pranverën e vitit 2026 të gjithë komponentët do të jenë të përfunduar. Atëherë do të kemi një transport komplet të ri, efikas dhe të përballueshëm për xhepin e çdo qytetari”, thotë zv kryeministrja Belinda Balluku.

Me udhëtimet e saj të para provë, linja pritet të jetë funksionale në fund të këtij viti për transportin e pasagjerëve dhe të mallrave, duke hapur një epokë të re për transportin publik në Shqipëri.

Çmimi i biletës sipas burimeve nga drejtoria hekurudhore do të jetë duke nisur nga 200 lekë. Pritet të ketë bileta me çmime të përshkallëzuar sipas klasit të udhëtimit dhe stacioneve që përshkohen.

Është menduar që një udhëtim 11 minutësh nga Tirana në Rinas të kushtojë midis 100 deri 200 lekë. E njëjta gjë dhe në itinerarin Durrës-Rinas.

Ndërsa për një udhëtim të plotë Tiranë-Durrës dhe anasjelltas pritet që biletat të nisin me 200 lekë në klasin standard.

Stacioni qendror që dikur ishte në fund të bulevardit Zogu i Parë, tani është planifikuar të ndërtohet në zonën e "Bulevardit të Ri" pranë kryqëzimit me rrugën “Jordan Misja”, jo shumë larg vendndodhjes së ish-stacionit të vjetër të trenit në Tiranë.

Pritet që stacioni i ri i trenit të lidhet me parkimin nëntokësor që gjendet aty.

E vërteta është se deri tani linja ka shkuar deri në Kashar ku qeveria kishte parashikuar të ishte stacioni qendror, që nëse do të ndodhte do të përbënte precedent pasi në mbarë Evropën stacionet qendrore të trenave janë bash në qendër të qyteteve.

Por pas një ndryshimi në projekt, u vendos të rehabilitohen dhe 4 kilometra linjë që përfshin zonën nga Kashari deri te Bulevardi i ri ku pritet të jetë stacioni qendror.

Me këtë shtim, do të ketë dhe një stacion tjetër, pranë Laprakës. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit