

Finalja e Big Brother VIP Albania më 19 prill: Një spektakël 6-orësh me koncert, performanca dhe surpriza
Tiranë – Të premten, më 19 prill 2025, do të mbahet finalja e shumëpritur e edicionit të tretë të Big Brother VIP Albania. Një nga eventet më të ndjekura televizive në të gjithë hapësirën shqiptare, finalja e këtij viti premton një spektakël të madh, të pasur me emocione, muzikë dhe surpriza për publikun.
Moderatori i programit, Ledion Liço, në një intervistë për edicionin informativ të Top Channel, zbuloi disa nga detajet e përgatitjeve intensive që po bëhen për këtë mbrëmje të veçantë. Ai tha se gjithçka është konceptuar si një koncert gjashtë orësh, që përveç shpalljes së fituesit, do të ofrojë një përvojë të plotë argëtimi për të gjithë ata që e kanë ndjekur nga afër këtë reality show.
“Përgatitjet në këtë fazë që jemi janë të tilla që ke një listë të gjatë që duhet të bësh, e cila vetëm shtohet, ndryshon, evoluon. Po kalojmë mirë, natyrisht me pak orë gjumë, me shumë orë lodhje dhe djersë,” tha Liço.
Ai zbuloi se këtë vit finalja do të zhvillohet në dy studio të hapura, njëra prej të cilave – e quajtur “studioja dy” – është një ambient i hapur, me tavan qiellin. Kjo e bën eventin të ndjeshëm ndaj kushteve atmosferike, prandaj ekipi i produksionit shpreson për mot të mirë.
“Nëse nuk do të ketë re, do të jemi nën çatinë e yjeve – yje poshtë, yje lart, yje gjithandej,” tha ai me entuziazëm.
Një nga risi që do ta veçojë këtë finale nga ato të viteve të mëparshme është fakti se surprizat nuk do të fokusohen vetëm te finalistët. Përkundrazi, sipas Ledionit, do të ketë performanca dhe pjesëmarrje të artistëve të njohur dhe të panjohur, të cilët do të sjellin emocione dhe do të jenë si “qershia mbi tortë” e mbrëmjes.
“Do të ketë surpriza shumë të bukura me pjesëmarrje të njerëzve të njohur dhe të panjohur që do të jenë qershia mbi tortë në udhëtimin e gjatë të katër fatlumëve që vijojnë të jenë afër nesh,” shtoi moderatori.
Finalja do të jetë gjithashtu një mundësi për publikun që të jetë pjesë aktive e programit, jo vetëm përmes ekranit por edhe fizikisht. Në këtë edicion, për herë të parë është konceptuar një hapësirë e jashtme ku publiku do të mund ta ndjekë eventin nga afër – një lloj “viewing party” me performanca të drejtpërdrejta.
“E kemi konceptuar pjesën jashtë. Në edicionet e kaluara thuhej emri i fituesit në një hapësirë të mbyllur, ndërsa tani do të jetë një përvojë më kolektive. Në botë ekziston kjo ideja që brezi Z e quan ‘viewing party’ – një mbledhje ku ti shikon një program, por jo vetëm aq, këtu do të ketë performanca muzikore që do ta kthejnë gjithë këtë në një koncert të vërtetë 6 orësh,” theksoi Liço.
Ai vlerësoi gjithashtu faktin që ky edicion ka qenë i mbushur me artistë të talentuar, të cilët kanë sjellë këngë brenda dhe jashtë shtëpisë së Big Brother, dhe hitet e tyre do të këndohen gjatë finales.
“Këtë edicion është se kishim artistë të jashtëzakonshëm. Kemi pasur edicionin me më shumë artistë që kanë prodhuar këngë brenda apo sapo kanë dalë nga shtëpia. Hitet e të gjithë këtij sezoni do të këndohen dhe përcillen me dashuri nga i gjithë publiku që vjen nga gjithandej. Kam dëgjuar për organizime nga qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova është duke ndodhur e njëjta gjë për të ardhur për të parë,” tha ai.
Finalja e Big Brother VIP Albania pritet të jetë jo vetëm kurorëzimi i një sezoni të ndjekur me intensitet, por edhe një festë e madhe televizive për gjithë publikun shqiptar brenda dhe jashtë vendit.
Deklarata e plotë
“Përgatitjet në këtë fazë që jemi janë të tilla që ke një listë të gjatë që duhet të bësh, e cila vetëm shtohet, ndryshon, evoluon. Po kalojmë mirë, natyrisht me pak orë gjumë, me shumë orë lodhje dhe djersë. Shpresoj që moti të mbajë se ndryshe nga herët e tjera jemi pak të prekur nga kushtet atmosferike, jo se s’kemi qenë herët e tjera, por këtë vit kemi hapur dy studio, edhe për publikun që do të vijë të shohë programin këtu, ne jemi pikërisht në atë që do të quhet studio dy, është një studio me tavan qiellin, varemi pak nga moti. Me shpresë që nuk do të ketë re do të jemi nën çatinë e yjeve, yje poshtë, yje lart, yje gjithandej. Do të ketë shumë surpriza, ajo që do të ndodhë ndryshe nga edicionet e mëparshme është se surprizat s’do të kenë domosdoshmërisht lidhje vetëm me finalistët, do të ketë performanca dhe pjesëmarrje të artistëve të njohur dhe jo vetëm. Do të ketë surpriza shumë të bukura me pjesëmarrje të njerëzve të njohur dhe të panjohur që do të jenë qershia mbi tortë në udhëtimin e gjatë të katërt fatlumëve që vijojnë të janë afër nesh.
E kemi konceptuar pjesën jashtë, në edicionet e kaluara thuhej emri i fituesit, në një hapësirë ku njerëz që duan ta shijojnë nga më afër programin, jo nga rehatia e shtëpisë apo vendit ku mblidhen me miqtë dhe familjarët, ta bëjnë pikërisht këtu. Në botë ekziston kjo ideja që gjenerata Z e quan ‘viewing party’, një mbledhje ku ti shikon një program, por jo vetëm aq, këtu do të ketë performance muzikore, të cilat do ta kthejnë gjithë këtë në një koncert të vërtetë 6 orë, fatmirësia jonë këtë edicion është se kishim artistë të jashtëzakonshëm, kemi patur edicionin me më shumë artistë të cilët kanë prodhuar këngë brenda apo sapo kanë dalë nga shtëpia e BBV, hitet e të gjithë këtij sezoni do të këndohen dhe përcillen me dashuri nga i gjithë publiku i cili vjen nga gjithandej, kam dërguar për organizime nga qytete të Shqipërisë, por edhe nga Kosova është duke ndodhur e njëjta gjë për të ardhur për të parë, fatmirësisht vendi mban, por biletat janë të reduktuara, vendi është i madh, por jo aq i madh.
Biletat mund t’i gjeni lehtësisht online, çdo gjë ka kaluar online tani, nëse jeni akoma me të vjetrën dhe doni ta merrni biletën fizikisht janë dy vendndodhje, zyrat në Kashar dhe Arena Center. Praktikisht është e lehtë për të marrë, bileta ka një çmim simbolik, qëllimi është të mblidhemi së bashku jo vetëm ne që kemi jetuar çdo ditë me këtë përvojë, por jam i bindur që publiku për çdo banor është kthyer në një tifoz të jashtëzakonshëm dhe tifozeria këtë vit ka qenë një ndër më të mirat e të gjitha edicioneve".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd