

Tiranë/Shijak – Në vijim të procesit gjyqësor për rrëmbimin dhe zhdukjen misterioze të Jan Prengës, këtë të mërkurë ka dhënë një dëshmi tronditëse Festim Bexhdili, punonjës i resortit “Golden Resort” në Shijak, ku dyshohet se është mbajtur dhe zhdukur viktima.
Bexhdili rrëfeu para trupit gjykues se ishte dëshmitar i drejtpërdrejtë i momenteve pas rrëmbimit, kur në ambientet e resortit kishte mbërritur një automjet luksoz i bardhë tip Range Rover me katër persona të armatosur. Ai deklaroi se ndodhej në zonën e pishinës kur u përball me situatën, e cila e tronditi thellësisht.
“Isha duke pastruar pishinën kur erdhi makina. Shkova për t’i pyetur dhe më kërkuan ujë. Ishin të armatosur, të panjohur për mua. Më thanë se kishte vdekur një person dhe më detyruan që ta ndihmoja në zhvendosjen e trupit nga një makinë në një tjetër, një Fiat Doblo që përdorej për furnizime,” rrëfeu Bexhdili.
Ai shtoi se personat i kishin fytyrat e zbuluara dhe njëri kishte tatuazhe, por nuk mundi të identifikonte ndonjërin prej tyre. Më tej, sipas dëshmisë së tij, personat i kërkuan një kazmë dhe një lopatë, të cilat ai ia dorëzoi nën presion, pa ditur qëllimin.

Pak çaste më pas, në vendngjarje kishte mbërritur Altin Hajri, një nga emrat kyç në këtë çështje, i cili sipas Bexhdilit, ishte i irrituar dhe kishte bërë presion që personat të largoheshin menjëherë nga resorti. “I shau dhe u tha: ‘Ç’doni këtu, po na merrni në qafë.’ Më pas, ata u larguan dhe unë ika në shtëpinë time në Kavajë,” deklaroi ai.

Dëshmia e Bexhdilit përbën një element të rëndësishëm në procesin kundër të pandehurve Dritan Rexhepi, Gentian Doçi dhe të tjerëve të përfshirë në këtë ngjarje që tronditi opinionin publik shqiptar në janar të vitit 2020.

Jan Prenga, resorti ku u mbajt peng
Hetimet për këtë rast vijojnë, ndërkohë që ende nuk është gjetur trupi i Jan Prengës.

Pamje nga momenti i nxjerrjes nga resorti i trupit te Jan Prenges

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






