

Produkti i brendshëm bruto (PBB) i Kinës për tremujorin e parë të vitit 2025 ishte 31.875 trilionë juanë (4.337 trilionë dollarë), duke u rritur me 5.4 për qind në bazë vjetore dhe 1.2 për qind në bazë tremujore krahasuar me tremujorin e katërt të mëparshëm, sipas të dhënave nga Zyra Kombëtare e Statistikave (NBS) të mërkurën.
Kjo rritje ekonomike, e cila ishte mbi parashikimet e analistëve, është nxitur nga një ngritje prej 3.5 % e vlerës së shtuar të sektorit parësor, 5.9 % e sektorit dytësor dhe 5.3 % në sektorin tretësor.
Vlera e shtuar industriale nga ndërmarrjet e ashtuquajtura "mbi madhësinë e përcaktuar" u shtua përkatësisht me 6.5 e 7.7 për qind në krahasim me tremujorin e parë të vjetshëm e me marsin e sivjetshëm.
Prodhimi i pajisjeve dhe prodhimi i teknologjisë së lartë patën një performancë veçanërisht të mirë në tremujorin e parë, me rritje përkatësisht prej 10.9 e 9.7 për qind.
Sektori i shërbimeve gjithashtu ruajti rritjen e shpejtë, veçanërisht shërbimet moderne, si transmetimi i informacionit, softuerët dhe shërbimet e teknologjisë së informacionit, të cilat shënuan një rritje prej 9.9 për qind.
Edhe prodhimi bujqësor ishte në një gjendje të mirë, me një vlerë të shtuar të kultivimit të kulturave bujqësore që u rrit 4.0 për qind në tremujorin e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Tregu i konsumit ka pasur një rimëkëmbje graduale, me shitjet e përgjithshme me pakicë të mallrave të konsumit që u rritën me 4.6 për qind. Investimet në asete fikse vijuan të shtohet, dhe investimet në industrinë e teknologjisë së lartë u rritën 6.5 për qind.
Vlera e përgjithshme e importeve dhe eksporteve të mallrave u ngrit me 1.3 për qind, prej të cilave eksportet u shtuan 6.9 për qind, duke arritur në 6.13 trilionë juanë. Edhe të ardhurat e disponueshme për frymë të banorëve u shtuan, me një rritje reale 5.6 për qind.
Raporti nga Zyra Kombëtare e Statistikave thekson se ekonomia kineze ka vazhduar të përmirësohet në përgjithësi me mbështetjen e makropolitikave, duke bërë përparim të mëtejshëm në zhvillimin me cilësi të lartë.
Pavarësisht një mjedisi të jashtëm kompleks dhe të vështirë, baza e brendshme ekonomike po vijon të konsolidohet, roli i inovacionit po rritet dhe nxitësit e rinj të zhvillimit po përshpejtohen.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd