

Në prag të sfidës së kthimit çerekfinale të Ligës së Kampionëve mes Interit dhe Bayern Munich, e cila do të luhet të mërkurën mbrëma në “San Siro”, prej orës 21:00, ka folur për “Gazzetta dello Sport” ish-lojtari i të dyja klubeve, Karl-Heinz Rummenigge. Këto janë fjalët e tij, duke nisur me një parashikim për ndeshjen:
“Sipas mendimit tim, Bayernit do t’i duhet një mrekulli e vogël pas rezultatit të ndeshjes së parë në Mynih, sepse Interi u paraqit shumë mirë. Kësisoji, do të jetë një ndeshje e vështirë për Bayernin, edhe pse jo e pamundur. Për mua, Interi është favorit për kualifikim në gjysmëfinale.
Pastaj, gjithçka është e mundur, sepse me vetëm një gol epërsi, bavarezët shkojnë të paktën në shtesë. Gjithsesi, Bayernit i duhet një mbrëmje vërtet e mirë. E humbëm ndeshjen e parë në mënyrë të panevojshme, sepse pas golit të Müller do të kishte qenë më e mençur të ishim kënaqur me barazimin. Ne shtymë për të fituar me çdo kusht dhe pësuam një gol, që na kushtoi shtrenjtë”.
Për ndeshjen e parë: “Sigurisht që tifozët e Bayern ishin të zhgënjyer, sepse finalja e këtij sezoni zhvillohet në Mynih dhe të gjithë ëndërronin që Bayerni të ishte aty, por tani gjërat janë komplikuar. Jemi realistë, por ende nuk ka përfunduar, sepse Bayerni në ndeshjet e vështira shpesh ka arritur t’i përmbysë situatat në favorin e vet”.
Për lojtarët kyç, Lautaro dhe Thuram: “Interi, që u paraqit mirë në Mynih dhe u mbrojt me zgjuarsi, ka përpara dy lojtarë shumë të fortë: Lautaro dhe Thuram. Goli i parë ishte një kryevepër, i jashtëzakonshëm. Edhe i dyti, me kundërsulm, tregoi forcën e Interit. Thuram? Interi me të ka bërë një blerje të mirë, për më tepër me kosto zero”.
Për Interin: “Nuk u befasova nga ajo që pashë në ndeshjen e parë, sepse e ndjek Interin prej kohësh. Është një skuadër që shpesh nënvlerësohet, jo nga kundërshtarët, por nga ambienti futbollistik në përgjithësi. Mjafton të shohësh si është paraqitur vitet e fundit, sa afër i ka shkuar Ligës së Kampionëve, si në finalen ndaj Manchester City. Interi është bërë ai që ishte Juventusi disa vite më parë. Dominon futbollin italian, po bën mirë edhe në arenën ndërkombëtare”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd