

Vincent Kompany, trajneri i Bayern Munich, ka folur në konferencë për shtyp para sfidës së kthimit në Champions League kundër Interit. Për Kim, pas gabimeve ndaj Dortmundit: “Mendoj se e kam shpjeguar mjaft mirë më parë, nuk është çështje individësh. Kemi pasur vështirësi për shkak të mungesave në mbrojtje. Nuk dua të fajësoj askënd veçmas. Nëse kam diçka për t’ia thënë një lojtari, e bëj privatisht. Futbolli është i tillë që shumë njerëz kërkojnë fajtorë, por nuk më pëlqen kjo gjë.
Çfarë pret nga skuadra sot: “Ndonjëherë janë netë të veçanta, ato që vendosin gjithçka. Ashtu ndodhi edhe në ndeshjen e parë. Duhet të kujtojmë rastet që nuk i shfrytëzuam dhe të shpresojmë t’i kemi përsëri. Fitoret vendosen nga detajet: ose je shumë i mirë në mbrojtje, ose shumë efektiv përpara. Ky do të jetë çelësi, duhet të fitojmë”.
Për atmosferën në “San Siro”: “Edhe tani e ndjej atmosferën e ndeshjes. Është ndeshja mes skuadrës më të mirë në Itali dhe më të mirës në Gjermani. E thonë rezultatet. Është një stadium i madh, ndeshje e madhe, atmosferë e madhe. Do të japim maksimumin”.
A janë ndeshje si kjo një test për karakterin e lojtarëve: “Çdo ndeshje ka rëndësinë e vet, por natyrisht kjo është e madhe. Interi është skuadër me shumë eksperiencë, ashtu si ne. Asgjë nuk do të jetë e lehtë, mund të vendoset edhe në minutat e fundit ose në shtesë”.
Për mundësinë që Gnabry të luajë titullar: “E rëndësishme është se kemi lojtarë që treguan formë të mirë ndaj Dortmundit. Nëse ndeshja shkon gjatë, çdo minutë do të jetë vendimtare, pavarësisht nëse luan Sané, Coman apo Olise. Vendimin do ta marr para ndeshjes”.
Për kritikën se Bayerni gabon në minutat e para: “Nuk mendoj se kemi luajtur keq në ndeshjen e parë, humbëm 2-1, tani duhet të fitojmë. Gjithçka është e njëjtë si para një jave, vetëm se duhet të dalim fitues. Duhet guxim dhe kontroll, kjo do të jetë vendimtare”.
Çfarë pret nga Interi: “Për këtë duhet të pyesni Inzaghin. Varet nga mënyra se si zikaltrit do të bëjnë presion. Nëse shtypin lart, ne duhet të përshtatemi. Sidoqoftë, në fund vendosin cilësitë e skuadrave dhe individëve. Në këto nivele, vendosin vendimet e duhura të lojtarëve”.
Çelësat për të përmbysur ndeshjen: “Kemi gjendje pozitive dhe ndjejmë mundësinë për të luajtur në gjysmëfinale. Të gjithë flasin për mbrojtjen e Interit, por zikaltrit kanë edhe shumë cilësi në sulm. Nuk besoj se do të jetë njësoj si ndeshja e parë. Thjesht duhet të fitojmë, jo 2, 3 apo 4-0”.
Përgatitje edhe për penalltitë: “Që nga ndeshja e parë në Kupën e Gjermanisë i stërvitim penalltitë. Jemi gati në çdo moment. Nëse shkojmë deri atje, do të thotë se kemi bërë diçka të drejtë. Nuk më çudit që edhe Interi të jetë i përgatitur për penalltitë”.
A mund të jetë kjo ndeshje vendimtare për të ardhmen e tij: “Gjithmonë flisni për çfarë ndodh nëse humbasim, jo nëse fitojmë. Nuk është mentaliteti i duhur. Jemi në prill dhe një hap larg gjysmëfinales, tri ndeshje nga titulli në Bundesliga. Nëse nuk mund të fitojmë tani, kur atëherë?”
Për “San Siron”: “Nuk është një stadium si gjithë të tjerët, është i veçantë. Për mua është një nga pesë më të mëdhenjtë në botë; “Camp Nou”, “Bernabeu”, “Wembley”, “Allianz Arena”, “San Siro”. Lojtarët tanë janë gati për të pasur kujtime të mëdha nga këtu”.
Për kritikat e Matthaus dhe çështjen Muller: “E respektoj 100% mendimin e tij, si dhe të gjithë të tjerëve. Kjo është pjesë e futbollit, por e vlerësoj çdo ndeshje në mënyrën time. Është puna ime, përgjegjësia ime”.
Për ecurinë e Marcus Thuram: “E kam ndjekur shpesh Interin. Ai është një nga lojtarët që bën diferencën, krijon raste nga asgjëja, e detyron kundërshtarin të bëjë gabime. Ka pasur një rrugëtim të shkëlqyer këtë sezon, por shpresoj që kësaj here të mos ia dalë”.
Për portierin e ri, Urbig: “Është një histori pozitive nga këto ndeshje. Disa lojtarë kyç mungojnë, por kemi 100% besim te Jonas. Është i ri, nuk duhet ta ndjejë presionin. Presioni është për të tjerët. Ai do të na ndihmojë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd