

Pavarësisht humbjes 3-2 ndaj Aston Villa, në ndeshjen e kthimit, PSG ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinalet e Champions League për të dytin vit radhazi, falë fitores totale 5-4, duke llogaritur edhe ndeshjen e parë.
Trajneri Luis Enrique ka komentuar performancën e skuadrës së tij për “Canal+”, duke theksuar rëndësinë e kualifikimit dhe nevojën për të mësuar nga gabimet: "Është gjithmonë e vështirë të kualifikohesh në gjysmëfinalet e Champions League. Kjo është hera e dytë radhazi për ne, ndaj jemi shumë të lumtur".
Trajneri spanjoll specifikoi mbi lojën: "Ndeshja ishte shumë e komplikuar. E nisëm mirë, por më pas patëm vështirësi, veçanërisht në menaxhimin e fazave të ndryshme të lojës".
Ai theksoi se ekipi parizien tregoi besim dhe personalitet në pjesën e parë, por duhet të punojë për ta ruajtur këtë intensitet gjatë gjithë ndeshjes: "Në pjesën e parë ishim të sigurt në vetvete dhe kjo është pozitive. Në pjesën e dytë pësuam gola që mund të evitoheshin. Kemi ende shumë për t’u përmirësuar".
Luis Enrique vlerësoi gjithashtu kualitetin e kundërshtarit: "Aston Villa është një skuadër shumë e mirë, luan me intensitet dhe ka lojtarë cilësorë. Na e vështirësoi shumë ndeshjen e kthimit. Kur luan në këtë nivel, duhet të jesh gjithmonë në maksimumin tënd".
Në fund, trajneri falënderoi tifozët dhe u shpreh optimist për vazhdimësinë në garë: "Jam krenar për ekipin, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë. Nuk duhet të jemi asnjëherë shumë të sigurt në vetvete, sepse gjithçka mund të ndryshojë në një çast. Do të luftojmë deri në fund".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd