Transmetuar më 15-04-2025, 16:23

Policia e Shtetit dhe Meta Platforms INC forcojnë bashkëpunimin kundër krimit kibernetik

Tiranë – Policia e Shtetit dhe kompania teknologjike Meta Platforms INC kanë konsoliduar bashkëpunimin për të përballuar sfidat gjithnjë e më të mëdha në fushën e krimit kibernetik dhe për të garantuar një hapësirë digjitale më të sigurt për qytetarët shqiptarë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, priti në ambientet e institucionit përfaqësuesit e lartë të kompanisë Meta, znj. Kateryna Kruk, Drejtuese Rajonale e Politikave Publike për Europën Qendrore dhe Lindore, si dhe z. Birger Witt, Menaxher i Besimit dhe Sigurisë për të njëjtin rajon.

Në takim morën pjesë gjithashtu Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati, dhe Drejtoresha e Hetimit të Krimeve Kibernetike, Drejtues i Parë Ervina Gjana.

Biseda u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe konstruktive, duke u përqendruar në përforcimin e bashkëpunimit për sigurinë kibernetike dhe në rritjen e efikasitetit të hetimeve përmes krijimit të mekanizmave të përbashkët për identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve online.

Një fokus i veçantë iu kushtua shqetësimeve të hasura në platformat sociale të administruara nga Meta, si dhe bashkëpunimit në rastet emergjente që lidhen me mbrojtjen e të miturve. Përfaqësuesit e Policisë së Shtetit falënderuan kompaninë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e deritanishëm, duke shprehur gatishmërinë për intensifikimin e mëtejshëm të partneritetit.

Ky takim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një hapësire digjitale më të sigurt, ku institucionet shqiptare dhe gjigantët e teknologjisë bashkëpunojnë për të përballuar sfidat e reja të krimit kibernetik.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit