Transmetuar më 15-04-2025, 09:08

Donald Trump ka pezulluar financimin për Harvardin për shkak të refuzimit të universitetit për të pranuar kërkesat që kishte vendosur administrata e tij. Harvard kishte deklaruar se refuzon presionet nga administrata e Trump për ndryshime në politikat kryesore të universitetit

"Nëse nuk përputhesh, do të ndëshkohesh“, është doktrina e Donald Trump, që nga marrja e detyrës në janar, dhe presidenti i SHBA-ve e vërteton këtë në çdo rast.

Mbrëmjen e të hënës, administrata Trump njoftoi se do të pezullojë një financim prej 2.2 miliardë dollarësh për grantet shumëvjeçare dhe 60 milionë dollarë më shumë në kontrata me Universitetin Harvard, pas refuzimit të institucionit për t’u përputhur me kërkesat e politikës së administratës.

Më herët të njëjtën ditë, Harvard deklaroi se refuzon presionet e administratës Trump për të ndryshuar politikat themelore të universitetit.

Në përgjigje të pezullimit të fondeve, universiteti e ka referuar një deklaratë të mëparshme ku thuhet: "Largimi i qeverisë nga këto bashkëpunime vë në rrezik jo vetëm shëndetin dhe mirëqenien e miliona njerëzve, por edhe sigurinë ekonomike dhe vitalitetin e kombit tonë."

Administrata e Harvard-it kishte marrë një letër nga një grup veprimi federal, ku janë përshkruar kërkesa të caktuara politike si kushte për vazhdimin e financimit.

"E njoftuam qeverinë përmes përfaqësuesve tanë ligjorë që nuk do ta pranojmë marrëveshjen që propozojnë“, tha presidenti i Harvard-it, Alan Garber. "Universiteti nuk do ta dorëzojë pavarësinë e tij as të drejtat e tij kushtetuese", – shtoi ai.

Kërkesat e Trump për Harvard

Kërkesat përfshijnë, ndër të tjera: heqjen e programeve për diversitetin, barazinë dhe përfshirjen, ndalimin e përdorimit të maskave në protestat brenda kampusit të universitetit, reforma në proceset e rekrutimit dhe pranimit bazuar në meritokraci dhe kufizimin e ndikimit të akademikëve që, sipas qeverisë, promovojnë aktivizmin në vend të qasjes shkencore.

Këto kërkesa janë pjesë e një përpjekje më të gjerë nga qeveria federale për të trajtuar rritjen e antisemitizmit në universitete pas ngjarjeve që lidhen me luftën në Gaza mes Izraelit dhe Hamasit.

"Presidenti Trump po punon për ta bërë arsimin e lartë të madh sërish, duke i dhënë fund antisemitizmit të pakontrolluar dhe duke siguruar që paratë e taksapaguesve amerikanë të mos financojnë ndarjen racore ose dhunën“, tha një përfaqësues i Shtëpisë së Bardhë.

Harvard mbrojti qëndrimin e tij, duke theksuar se kërkesat e qeverisë "përbëjnë rregullim të drejtpërdrejtë të kushteve shpirtërore që ekzistojnë në Harvard.“

Presidenti Garber theksoi: "Asnjë qeveri – pa marrë parasysh se cilit parti i përket – nuk duhet të diktojë se çfarë mund të mësojnë universitetet private, kë të pranojnë ose të punësojnë dhe cilat fusha shkencore mund të studiohen.“

AP Photos/Michael Casey

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit