Transmetuar më 15-04-2025, 08:49

Nga data 16 deri më 23 prill janë tetë ditë (duke përfshirë të dyja datat). Janë ditët që ndajnë kthimin e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve nga kthimi i gjysmëfinaleve të Kupës së Italisë. Janë pikërisht këto ditë që Interi i nevojiten për të filluar të bëjë realitet ëndrrën e tij më ambicioze: të përsërisë tripletën historike të vetën, arritur nën drejtimin e José Mourinhos në vitin 2010. Tripleta e vetme që është arritur ndonjëherë nga një skuadër italiane në historinë e futbollit.

Do të jetë një javë shumë e vështirë dhe vendimtare:

Të mërkurën e 16 prillit, ndeshja e kthimit çerekfinale në Champions ndaj Bayern Munich në “San Siro” (pas fitores 2-1 në ndeshjen e parë).

Të dielën, më 20 prill, sfida e Serie A kundër Bologna për të ruajtur vendin e parë në garën për titull.

Të mërkurën, më 23 prill, derbi i kthimit në Kupën e Italisë kundër Milanit (1-1 në ndeshjen e parë), për të siguruar biletën drejt finales në Romë.

Pas eliminimit të Feyenoord-it në 1/8-at e Champions-it, Simone Inzaghi bëri gjestin me tre gishta, kur një gazetar e pyeti nëse synon kampionatin dhe Champions-in. “Jo, jo…, ne synojmë tripletën”, – tha ai, duke treguar tre gishta.

Disa ditë më vonë ai e korrigjoi veten: “Gabova. Numri i saktë është katër. Kemi edhe Kupën e Botës për Klube”.

Pavarësisht mungesave dhe kalendarit tepër të ngarkuar, Interi ka bërë më shumë se sa pritej. “Kemi luajtur 47 ndeshje deri tani. Jemi në një situatë emergjente, por e dinim që kjo mund të ndodhte me këtë ritëm”, – u shpreh Inzaghi, pasi Interi u bë skuadra e parë që fitoi në Mynih që nga viti 2021.

Në “Appiano Gentile” gjithçka po funksionon sipas planit. “Qëllimi ynë i madh ishte të mbeteshim në lojë për të gjitha kompeticionet në fillim të prillit. Tani vjen më e vështira, por fakti që jemi ende në garë në të gjitha frontet është një krenari”, – shtoi Inzaghi.

Nuk ka shumë skuadra që çdo sezon mund të aspirojnë të fitojnë gjithçka. Në sezonin 2024-2025, në gjithë Europën vetëm Barcelona, Real Madridi dhe PSG, përveç Interit, në garë për tripletën.

Në Milano kanë nisur ta besojnë vërtet këtë aspiratë pas fitores në Mynih, një shfaqje force, përvoje dhe karakteri, që tregoi ambicien e vërtetë të zikaltërve.

Këto mund të jenë tetë ditë që e vulosin ëndrrën zikaltër, ose i japin fund një iluzioni që, në fund të fundit, mund të jetë paksa utopik për një ekip që nuk është ndërtuar për t’u përballur në mënyrë të barabartë me më të mirët e Europës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit