Transmetuar më 14-04-2025, 21:08

Luksemburg, Konferencë e Përbashkët për Shtyp e Kryeministrit Edi Rama, Komisioneres së BE-së për Zgjerimin Marta Kos dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Sikorski

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në Konferencën e katërt ndërqeveritare Shqipëri-BE, të mbajtur në Luksemburg, ku Shqipëria çeli grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian – “Tregu i Brendshëm”, raporton noa.al.

Ky grupkapitull përmban: kapitullin 1 (Lëvizja e lirë e mallrave), kapitullin 2 (Lëvizja e Lirë e Punëtorëve), kapitulli 3 (E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime), kapitulli 4 (Lëvizja e lirë e kapitalit), kapitulli 6 (Legjislacioni për Shoqëritë Tregtare), kapitulli 7 (E drejta e pronësisë intelektuale), kapitulli 8 (Politika e konkurrencës), kapitulli 9 (Shërbimet Financiare) dhe kapitulli 28 (Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit).

Në përfundim të punimeve të Konferencës, Kryeministri Edi Rama, Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Sikorski dhe Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.

Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Sikorski:

Do të doja të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e 34 viktimave të raketave ruse në Sumy. Mendoj për më shumë se 100 persona të plagosur dhe shpresoj që të rimëkëmben sa më shpejt. Sulmet me raketa balistike të dielën janë një krim lufte, dhe këto sulme që godasin qytetet civile janë të pafalshme. Rusia po kërkon të mohojë Ukrainës të drejtën për të ekzistuar si shtet i pavarur, dhe do të vazhdojë përpjekjet për pushtimin e saj.

Zgjerimi mbetet në pararojë të politikave të BE-së. Presidenca polake mbështet një zgjerim të bazuar në meritë dhe mirëpritja e anëtarëve të rinj është një investim për paqe, prosperitet dhe siguri. Kjo është një arritje e madhe, dhe Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm drejt integrimit në BE. Përgëzoj qeverinë e Shqipërisë dhe kryeministrin Rama për angazhimin e tyre të fortë dhe përpjekjet e tyre për ta çuar vendin përpara në këtë rrugëtim. BE-ja është një investim për të ardhmen dhe Shqipëria është një partnere e besueshme në fushën e sigurisë dhe mbështetëse e Ukrainës. Përgëzoj qytetarët e Shqipërisë për këtë arritje të rëndësishme.

Kryeministri Edi Rama:

Ministër Sikorski, më lejoni të bashkohem me ju në shprehjen e ngushëllimeve për miqtë tanë ukrainas. Mbështes çdo fjalë që theksuat për atë që ndodhi në Ukrainë. 6 muaj më parë qëndrova këtu për të çelur bisedimet për grupkapitullin 1 dhe tani po e bëjmë sërish për grupkapitullin 2 “Tregu i Brendshëm”. Faleminderit për mbështetjen dhe angazhimin tuaj të vazhdueshëm. Jemi mirënjohës ndaj të gjitha shteteve anëtare të BE-së për mbështetje dhe për Komisionin Europian për udhëheqjen e tij.

Përsëris se për Shqipërinë, anëtarësimi në BE është shumë më tepër sesa një ambicie politike; është një zgjedhje jetësore, për një vend që ka kaluar shumë përpjekje dhe sfida për të arritur këtu. Ky është një objektiv jetik për ne dhe për qytetarët tanë, të cilët e shohin të ardhmen e tyre në Bashkimin Europian. Më lejoni të falenderoj ekipin e Shqipërisë për punën e palodhur që po bëjnë dhe përpjekjet e tyre që po japin rezultate. Ne do të vazhdojmë të punojmë pa ndalim për të çuar përpara procesin e negociatave.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin Marta Kos:

Faleminderit, Kryeministër dhe Ministër. Shqipëria është një histori suksesi e procesit të zgjerimit dhe sot kemi hedhur një hap tjetër të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Zgjerimi është më shumë se sa thjesht të shtosh një vend në BE; është një bashkim i Europës. Shqipëria është një histori e suksesshme që ka përfituar shumë nga përvoja e vendeve që janë bërë pjesë e BE-së. Faleminderit Ministrit Sikorski për mbështetjen e tij të madhe që ka mundësuar zhvillimin e konferencës së parë ndërqeveritare gjatë presidencës polake. Ky është një rezultat i vendosmërisë së autoriteteve në Shqipëri për të realizuar reformat dhe është një angazhim i madh për të ardhmen e qytetarëve të Shqipërisë si anëtarë të ardhshëm të BE-së.

Ky është një hap i rëndësishëm dhe po punojmë me një ritëm shumë ambicioz. Shqipëria po përfiton shumë nga tregu i përbashkët i BE-së dhe ky është vetëm fillimi. Anëtarësimi i plotë do t’i çlirojë këto mundësi dhe do të sjellë më shumë mirëqenie për të gjithë. Po ashtu, shpresoj që ky vit do të shënojë një sërë kremtimesh dhe hapash të tjerë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe BE-në.

Pyetje nga media:

Nëse keni një datë për çeljen e grup-kapitullit tjetër gjatë presidencës polake? Ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë Radosław Sikorski:

Kjo kërkon unanimitet. Për Shqipërinë, procesi po ecën mirë dhe ne do të bëjmë maksimumin për të përshpejtuar procesin. E dimë se ka ende punë për të bërë, por është një proces që duhet të shkojë përpara.

Kryeministri Edi Rama:

Ne besojmë se presidenca polake do të vazhdojë përpara me këtë proces dhe do të përmbushim objektivat për 2030. Ne do të punojmë pa ndalim dhe çdo ditë do të sjellim përpara më shumë reforma. Suksesi ynë ka një ndikim të gjerë dhe mund të jetë një shembull për të gjithë rajonin. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit