

Kryeministri Rama në Bruksel dhe Luksemburg për të kryesuar Shqipërinë në çeljen e grupkapitullit të dytë të negociatave me Bashkimin Evropian
Shqipëria hyn në një fazë të re në procesin e integrimit europian, duke çelur grupkapitullin e dytë të negociatave me Bashkimin Europian, të titulluar “Tregu i Brendshëm”, në kuadër të Konferencës së katërt Ndërqeveritare Shqipëri–BE, që do të mbahet të hënën në Luksemburg.
Kryeministri Edi Rama do të udhëheqë delegacionin shqiptar në këtë konferencë historike, ku përfshihen ministra, zëvendësministra dhe ekspertë që kanë punuar në përgatitjen e kapitujve të përfshirë në këtë grup.
Vizita e Kryeministrit nis në Bruksel, ku do të zhvillojë një takim kokë më kokë me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, për të diskutuar zhvillimet e fundit në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë.
Më pas, Rama do të udhëtojë drejt Luksemburgut, për të marrë pjesë në konferencën ku do të mbajë fjalën hapëse në emër të Shqipërisë.
Në emër të Bashkimit Evropian, fjalën do ta mbajë Ministri i Jashtëm i Polonisë, Radosław Sikorski, vendi i cili mban Presidencën e radhës të Këshillit të BE-së. E pranishme në këtë konferencë do të jetë edhe Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Në përfundim të Konferencës, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp nga Kryeministri Rama, Ministri Sikorski dhe Komisionerja Kos, ku do të bëhen publike hapat e mëtejshëm në negociatat mes Shqipërisë dhe BE.
Çfarë përfshin grupkapitulli i II-të “Tregu i Brendshëm”?
Ky grupkapitull është ndër më të rëndësishmit në procesin e anëtarësimit dhe përfshin:
1. Lëvizja e lirë e mallrave
2. Lëvizja e lirë e punëtorëve
3. E drejta e themelimit dhe liria për të ofruar shërbime
4. Lëvizja e lirë e kapitalit
5. Legjislacioni për shoqëritë tregtare
6. E drejta e pronësisë intelektuale
7. Politika e konkurrencës
8. Shërbimet financiare
9. Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit
Ky hap përfaqëson një avancim të ndjeshëm në rrugën drejt anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe përfshin fusha kyçe që prekin drejtpërdrejt tregun, lirinë ekonomike, të drejtat sociale dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Konferenca e katërt ndërqeveritare vjen në një moment ku Shqipëria synon të intensifikojë ritmin e reformave dhe të përshpejtojë ecjen drejt integrimit europian. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd