

Pensionistët po varfërohen: Çmimet rriten, pagat fluturojnë, pensionet ngecin
Në Shqipëri, pabarazia mes punonjësve aktivë dhe pensionistëve po thellohet me ritme shqetësuese. Ndërsa pagat rriten ndjeshëm nga viti në vit, pensionet po ecin me hapa shumë më të ngadaltë, duke gërryer fuqinë blerëse të të moshuarve dhe duke i ekspozuar ata gjithnjë e më shumë ndaj varfërisë.
Sipas të dhënave zyrtare, paga mesatare bruto mujore në fund të vitit 2024 arriti në 77,457 lekë, me një rritje prej 10% krahasuar me një vit më parë. Ndërkohë, pensioni mesatar u ngjit në vetëm 19,092 lekë, me një rritje modeste prej 4%. Kjo do të thotë se një pensionist mesatar përfiton vetëm 24.6% të pagës mesatare, përqindje që dhjetë vite më parë ishte 32%.
Kjo diferencë gjithnjë e më e theksuar tregon se pensionistët nuk po përfitojnë nga zhvillimet pozitive në tregun e punës. Rritja e çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve bazë i godet më fort ata, duke qenë se një pjesë e madhe e të ardhurave të tyre shpenzohet pikërisht për produkte jetike. Për më tepër, sipas metodologjisë së INSTAT, një pensionist konsiderohet në kufijtë e varfërisë nëse merr më pak se gjysmën e pagës mesatare – dhe shumica e pensionistëve shqiptarë ndodhen pikërisht në këtë situatë.
Tendencat e tregut tregojnë se hendeku mes pagave dhe pensioneve pritet të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme. Mungesa e fuqisë punëtore ka detyruar kompanitë të rrisin pagat për të tërhequr punonjës, por kjo rritje nuk është reflektuar në skemat e pensioneve.
Ndërkohë, plagët e tranzicionit vazhdojnë të ndihen: gjithnjë e më shumë persona që dalin në pension nuk i plotësojnë kushtet për pension të plotë. Në gjysmën e parë të vitit 2023, mbi 50% e përfituesve të pensionit të pleqërisë morën pagesa të pjesshme, një rritje krahasuar me 45% në vitin 2021.
Nga 503,747 përfitues, 258,312 persona përfituan pension të pjesshëm, çka tregon se një numër i madh i të moshuarve nuk kanë plotësuar vite të mjaftueshme sigurimi dhe, për rrjedhojë, janë të ekspozuar ndaj varfërisë afatgjatë.
Ndërsa Shqipëria përpiqet të ecë drejt standardeve më të larta ekonomike, garantimi i dinjitetit të të moshuarve përmes një sistemi pensionesh të drejtë dhe të qëndrueshëm mbetet një sfidë madhore për politikat sociale dhe ekonomike të vendit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd