Magazinë
Transmetuar më 12-04-2025, 19:39

KOSOVA- Sudani, vend në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën, njoftoi presidentja e vendit, Vjosa Osmani. Në një njoftim në X, Osmani tha se Kosova dhe Sudani janë pajtuar për të lidhur marrëdhënie diplomatike.

“Ky është fillimi i një partneriteti madhështor”, shkroi Osmani.

Njohja nga Sudani është e dyta për brenda javësh për Kosovën, pasi një shtet tjetër afrikan, Kenia e njohu atë në fund të marsit. Në një video përkrah ministrit të Jashtëm të Sudanit, Ali Yousuf al-Sharif, në Forumin e Diplomacisë në Antalia të Turqisë, Osmani tha se u njoftua nga ai për vendimin e presidentit të Sudanit për ta njohur Kosovën dhe për të lidhur marrëdhënie mes dy vendeve.

Njohjet nga Kenia dhe Sudani vijnë pas një rënie të ritmit të njohjeve të Kosovës në vitet e fundit. Para tyre, shteti i fundit që e njohu atë ishte Izraeli në vitin 2021. Sudani është bërë tani shteti i 119-të që e njeh Kosovën, një vendim që pritet ta zemërojë Serbinë, e cila e lufton vazhdimisht pavarësinë e fqinjit të vet.

Serbia e dënoi vendimin e Kenias për ta njohur Kosovën dhe tha se ai mund të ndikojë edhe në marrëdhëniet e Beogradit me shtetin afrikan./ REL

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit