Transmetuar më 12-04-2025, 11:16

Christian Vieri, ish-sulmues i Interit, Juventusit dhe Milanit, foli për mikrofonat e “SportMediaset”, duke e komentuar kështu ndërrimin e trajnerit te bardhezinjtë: “Nuk kam asnjë ide nëse kanë bërë mirë duke e larguar Motta dhe marrë përkohësisht Igor Tudor, nuk jam Harry Potter”.

A mund të shkojë Interi deri në fund, në të gjitha kompeticionet?

Mund të bëjë gjithçka, sepse ka një skuadër shumë të fortë, ka shumë lojtarë për çdo rol. Kjo është shumë e rëndësishme, nuk ka mungesa në pankinë. Mund të fitojë gjithçka, ashtu siç gjërat mund të shkojnë keq. Nëse i sheh zikaltrit duke luajtur, ta lëmë mënjanë transfertën e fundit me Parmën, prodhojnë futboll të bukur, krijojnë shumë raste…, janë të fortë. Pra, çdo gjë është e mundur.

Largimi i Thiago Motta, për çfarë arsye ndodhi? A është Tudor njeriu i duhur për të ardhmen bardhezi?

Nuk e kam idenë, duhet parë marrëdhënia që kishin, nuk e di kurrë të vërtetën. Nëse e kanë ndryshuar trajnerin, do të thotë se nuk ishin të kënaqur me Motta, edhe sepse Juventusi rrallë ndryshon trajner gjatë sezonit. Tudor është një trajner i mirë, bëri një pjesë të parë të mirë në ‘Olimpico’, vetëm mund të përmirësohet. Tani do të drejtojë këto ndeshje fundsezoni, për të ardhmen nuk e di, do të vendosin pastaj.

Ti, si do të veproje po të ishe drejtues te Juventusi?

Unë nuk do të ndryshoja kurrë trajner gjatë rrugës, nuk besoj në këtë gjë. Për të ndërtuar skuadra duhet kohë. Në Itali nuk ke kurrë kohë për asgjë, veçanërisht në klubet e mëdha. Lojtarët duhet të përshtaten, trajneri duhet të kuptojë si t’i bëjë të luajnë, është një proces i ngadaltë. Duhet t’i japësh kohë një trajneri, përndryshe ndryshon njërin pas tjetrit dhe bëhet rrëmujë. Megjithatë, me të drejtë, presidentët i hedhin paratë dhe vendosin ata.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit