Transmetuar më 12-04-2025, 11:11

Francesco Toldo, ish-portieri i Interit dhe Fiorentinës, ka dhënë një intervistë të gjatë për “Cronache di Spogliatoio”, ku është ndalur tek jeta e tij si futbollist dhe përjetimet personale: “Gjatë gjithë karrierës nuk duhet të mësohesh me komoditetet, me të gjitha kënaqësitë që të ofrohen, me entuziazmin e njerëzve…

Nëse mendon që gjithçka është huazim, kalimi në fazën pas futbollit vjen natyrshëm. Duhet të dish të kënaqesh dhe ta jetosh mirë të tashmen si futbollist. Një gjë e rëndësishme që unë e kam përjetuar në mënyrë negative është fama. Nëse mëson ta jetosh mirë, ajo bëhet një vlerë e shtuar, jo një barrë. Për mua ishte më shumë barrë”.

Më tej, Toldo shtoi: “Më pëlqen të marr shembullin e basketbollistëve, volejbollistëve apo sportistëve gjysmë-profesionistë në disiplina të tjera. Ata luajnë, argëtohen, e marrin seriozisht si punë, por gjithashtu punojnë edhe me trurin. Fama që iu vjen nuk mjafton për të ndërtuar jetën, këta njerëz janë shumë inteligjentë. Pak si mjekët, që duhet të përditësohen deri në moshën 80-vjeçare, sepse disiplina ndryshon”.

Ish-portieri e përmbylli kështu: “Aventura ime me futbollin ka qenë aq e bukur, sa e konsideroj si një përrallë, por një fazë jete me fillim dhe fund. E nisa si fëmijë i lumtur dhe e përfundova si njeri i lumtur. A ka qenë çlirim? Nuk e di…, por mund të ketë qenë. Po jetoj i qetë”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit