Transmetuar më 11-04-2025, 21:43

Fushata elektorale e opozitës nis në sheshin “Nënë Tereza” mes entuziazmit dhe premtimeve për një Shqipëri Madhështore. Hapja zyrtare me “Eye of the Tiger” dhe mesazhi i bashkimit

Tiranë – Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” nisën sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit me një tubim në sheshin “Nënë Tereza”, i cili u mbush nga mbështetës të opozitës nën tingujt e këngës ikonë “Eye of the Tiger”, raporton noa.al e cila monitoroi çeljen e fushatës demokrate.

Kreu i PD-së, Sali Berisha, i shoqëruar nga drejtuesi amerikan i fushatës, Chris LaCivita, përshëndeti qytetarët dhe kandidatët e koalicionit me tone entuziaste, duke e cilësuar këtë nisje si një betejë për ringritjen e vendit dhe rikthimin e vlerave të lirisë.

Berisha: “Ne mblidhemi sonte me një betim solemn për ta nxjerrë Shqipërinë nga kthetrat e regjimit”

Në një fjalim të gjatë, Berisha deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një moment kritik dhe se opozita po ngrihet për të shpëtuar vendin nga, siç tha ai, “regjimi i narkoshtetit”. Ai akuzoi qeverinë Rama për varfëri, emigrim masiv dhe rrënim të shtetit të së drejtës, ndërsa premtoi se Shqipëria do ringrihet si Feniksi “në zenit për të shkuar drejt fitores”.

Berisha për Ramën: “Edi Rama është sëmundja e Shqipërisë”

Duke e cilësuar qeverinë aktuale si “pushtimin më të egër në histori”, Berisha akuzoi Ramën për keqqeverisje, korrupsion, kapje të drejtësisë dhe mungesë transparence. “Kjo sëmundje quhet Edi Rama,” tha Berisha, duke e përsëritur disa herë në mes të turmës.

Sipas tij, pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të përçarë opozitën, Partia Demokratike është më e bashkuar dhe më e fuqishme se kurrë.

“Partia Demokratike është partia e arritjeve kombëtare”

Berisha përmendi një sërë arritjesh historike të Partisë Demokratike ndër vite, duke përfshirë përmbysjen e diktaturës, anëtarësimin në NATO, ndërtimin e Rrugës së Kombit, liberalizimin e vizave dhe projekte madhore si TAP dhe Kaskada e Devollit. Ai theksoi se kjo parti ka një trashëgimi të lavdishme dhe një projekt të ri për ta kthyer Shqipërinë në një vend “madhështor”.

Premtimi ekonomik: minimum jetik 200 euro dhe taksa më të ulëta në botë

Në një pjesë kyçe të fjalimit, Berisha shpalli një plan ekonomik ambicioz: vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar në nevojë, përfshirë pensionistët, studentët dhe të papunët. Ai premtoi gjithashtu se qeveria e ardhshme e PD-së do vendosë “taksat më të ulëta që ekzistojnë në botë”, për të nxitur punën dhe pasurimin e qytetarëve.

Luftë pa kompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar

Berisha u zotua se do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit, duke paralajmëruar një audit të përgjithshëm të narkoshtetit, i cili sipas tij do të rikthejë qindra miliona euro të vjedhura tek qytetarët. Ai theksoi se do të vendoset përpara ligjit çdo ministër, funksionar publik apo kriminel, brenda dhe jashtë vendit, që ka përfituar në kurriz të shqiptarëve.

Premtim për një Shqipëri të teknologjisë së lartë

Në fund, Berisha përvijoi vizionin e tij për një Shqipëri të së ardhmes si epiqendër teknologjike të rajonit, duke përmendur inteligjencën artificiale, kriptomonedhat, data center-at dhe internetin e gjeneratës së tretë. “A mund t’i bëjë këto një njeri që mbyll TikTok-un?”, u shpreh ai me ironi ndaj Ramës.

11 maji, një referendum për të ardhmen

“11 maji është fundi i tij”, përfundoi Berisha mes brohoritjeve, duke e cilësuar ditën e zgjedhjeve si një referendum midis të shkuarës dhe një të ardhmeje madhështore. Ai i ftoi qytetarët të bashkohen për të ndërtuar “Shqipërinë më të bukur në historinë e saj”. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit