Transmetuar më 11-04-2025, 20:24

Tiranë – Partia Demokratike dhe koalicioni opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” kanë hapur sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, me një tubim të madh në sheshin “Nënë Tereza”.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shoqëruar nga drejtuesi amerikan i fushatës, Chris LaCivita, u bashkua me mbështetësit e opozitës në një atmosferë entuziaste dhe energjike.

Në një zgjedhje simbolike për të përçuar mesazhin e vendosmërisë dhe luftës për ndryshim, koalicioni opozitar ka zgjedhur si kolonë zanore të fushatës këngën legjendare “Eye of the Tiger” nga grupi Survivor, e njohur për përdorimin e saj në filmin ikonë “Rocky Balboa”.

Fushata pritet të vijojë me ritëm të lartë në ditët në vijim, ndërsa opozita synon të mobilizojë elektoratin në mbarë vendin për të sjellë një rotacion politik më 11 maj.

I riu Orest Berberi: le ta nisim këtë rrugë me këmbën e djathtë-që të na shkojë mbarë. Fitorja i përket Shqipërisë Madhështore!

Mirëmbrëma ju, qëndrestarë dhe qëndrestare të palëkundur, që nuk jeni përkulur kurrë përpara padrejtësisë!

Sonte jemi këtu, të gjithë bashkë, për të nisur rrugën drejt fitores madhështore!

Sonte jemi këtu edhe për të falënderuar njëri-tjetrin-për besimin që kemi pasur dhe kemi tek njëri-tjetri!

Jemi këtu sepse askush nuk mund ta shuajë dritën e lirisë që u ndez 34 vite më parë!

Ai që dikur u përpoq të na shkatërronte nga themelet, që donte të na fshinte si parti, si histori, si zë…

Dështoi!

Ai dështoi sepse Partia Demokratike nuk është thjesht një logo, një seli, një emër-ajo është zemra e shqiptarëve të lirë!

Ajo është forca e njerëzve që nuk u shitën, nuk u përkulën, nuk u dorëzuan!

Është forca e rinisë që nuk trembet kurrë.

Është frymëzimi i rinisë që nuk shuhet.

Është vendi ku të rinj e të reja luftojnë për bindje dhe ideal!

Ne u sulmuam…

Ne u goditëm…

Por ne u ringritëm!

U bashkuam, më të fortë, më të vendosur dhe më të pastër se kurrë më parë!

Dhe ja ku jemi sot:

Të parët!

Të parët në shpirt!

Të parët për njerëzit!

Të parët në listë, me numrin 1!

Ne jemi njishat.

Dhe si të tillë, nuk pyesim kë kemi përballë-do të rrëzojmë çdo hijenë!

Me besim në Zot dhe me dashuri për Atdheun!

Më 11 maj ne fitojmë!

Jo për veten tonë…

Por për të gjithë ata që duan të jetojnë në këtë vend me dinjitet!

Dhe më 12 maj…Shqipëria gdhihet blu!

Si qielli që Zoti e krijoi për të qenë i lirë!

Si deti që s’njohu kurrë zinxhirë!

Prandaj, si të djathtë që jemi,

le ta nisim këtë rrugë me këmbën e djathtë-që të na shkojë mbarë!

Jo me të majtën-që të mos na shkojë mysybet!

Rroftë Partia Demokratike!

Rroftë Rinia e Shqipërisë!

Zoti i bekoftë shqiptarët, kudo që janë!

Fitorja na përket neve!

Fitorja i përket Shqipërisë Madhështore!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit