

Barcelona vazhdon të shkruajë histori në sezonin 2024-2025. Fitorja spektakolare 4-0 ndaj Borussia Dortmundit në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve i dha skuadrës katalanase një tjetër rekord: 23 ndeshje radhazi pa humbje, duke vulosur fillimin më të mirë të një viti kalendarik në historinë e klubit.
Barcelona nuk ka njohur disfatë në asnjë kompeticion që nga fillimi i vitit 2025, duke përmirësuar kështu rekordin e vendosur nga skuadra e Luis Enriques në vitin 2016, e cila atëherë regjistroi 22 ndeshje pa humbje (19 fitore, 3 barazime).
Ecuria e blaugranëve është thjesht mbresëlënëse. Që nga 21 dhjetori, kur humbën për herë të fundit kundër Atlético Madridit (1-2), katalanasit kanë regjistruar 19 fitore dhe 4 barazime, me një bilanc golash prej 71 të shënuar (mesatarisht 3.08 për ndeshje) dhe vetëm 21 të pësuar (0.91 për ndeshje). Në vitin 2025, Barça është e pamposhtur në të gjitha kompeticionet: 11 ndeshje në La Liga, 5 në Ligën e Kampionëve, 5 në Kupën e Mbretit dhe 2 në Superkupën e Spanjës. Një formë e jashtëzakonshme.
Seria magjike; 23 ndeshje pa humbje në vitin 2025
Gjithçka nisi më 3 janar, kur Barça debutoi me fitoren 4-0 ndaj Barbastros në Kupë. Që atëherë, vetëm katër skuadra kanë arritur t’i ndalin katalanasit: Getafe (1-1 në kampionat), Atalanta (2-2 në Champions), Atlético Madridi (4-4 në Kupë) dhe Betis (1-1 në La Liga). Gjithsesi, bilanci i fitoreve është i frikshëm: 12 nga 19 fitoret kanë ardhur me rezultate të thella, përfshirë edhe triumfin historik 5-2 ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës, një “manita” për t’u mbajtur mend.
Barcelona e Flick hyn në histori, lë pas edhe Luis Enrique
Me këtë ecuri, Barça e Hansi Flick ka tejkaluar rekordin e Barcelonës së Luis Enrique nga viti 2016. Atëherë, katalanasit zhvilluan një seri prej 22 ndeshjesh pa humbje nga 2 janari (0-0 ndaj Espanyolit) deri më 2 prill, kur u mundën 2-1 nga Real Madridi në “El Clásico”.
Skuadra e Enrique regjistroi 19 fitore (12 në kampionat, 5 në Kupë, 2 në Champions) dhe 3 barazime (2 në La Liga, 1 në Kupë), duke dominuar në të gjitha frontet. Barcelona e asaj kohe eliminoi Arsenalin në 1/8-at e Champions-it me rezultatin total 5-1 dhe arriti 12 fitore radhazi në kampionat, përpara se të ndalej nga madrilenët.
Megjithatë, ajo humbje nisi një seri të vështirë me tri humbje radhazi në La Liga, por Barça arriti të shpallej kampione me vetëm një pikë më shumë se Real Madridi. Në Ligën e Kampionëve, katalanasit u eliminuan në çerekfinale nga Atlético Madridi (3-2 në total), ndërsa Kupën e Mbretit e fitoi në finale ndaj Sevilla (2-0 pas shtesave), në “Vicente Calderón”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





