

Ish-drejtuesi i Juventusit, Luciano Moggi, i ka kritikuar ashpër veprimet e Milanit. Në një intervistë për “Libero”, ai ka nxjerrë në pah mungesat dhe dobësitë që sheh te kuqezinjtë: “Është një grup me solistë të mëdhenj, por që nuk lidhen mes tyre. Ky Milan mund të fitojë me këdo, por edhe të humbasë. Për më tepër, kuqezinjtë nuk dinë të hyjnë në lojë si një skuadër e madhe.
Sidomos në pjesët e para, shpesh gjenden në disavantazh, ndëshkohen shpejt nga kundërshtari, duke dhënë përshtypjen se nuk kanë hyrë në fushë me mendjen e duhur. Pastaj, kur goditen dhe fishkëllehet nga tifozët, reagojnë dhe arrijnë të paktën të mos humbasin, siç ndodhi në 2-2 kundër Fiorentinës".
Sipas Moggit, kjo ndodh për shkak të mungesës së vetëbesimit në grup, lidhet me një trajner të pasigurt dhe të pabesueshëm: “Conceição e ka mendjen diku tjetër qysh tani”.
Më tej, Moggi shigjeton edhe strukturën e klubit: “Milani nuk mbështetet nga një shoqëri e aftë. I mungon një drejtues me karizëm, që të jetë i besueshëm për ambientin falë të kaluarës së tij. Një klub i madh, dhe Milani padyshim që është i tillë, ka nevojë për drejtim të fortë.
Ishte Maldini, por u largua në mënyrë të pashpjegueshme. U përmend Paratici, por tani jo më… I vetmi drejtues që do të ishte ideal për Milanin, për shkak të të kaluarës së tij si lojtar dhe drejtues, është Igli Tare. Mjafton të shohësh si e ringjalli Lazion nga hiri dhe e riktheu mes të mëdhenjve”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





