

Nuk duhet ta dish përmendësh historinë e futbollit për të kujtuar përmbysjet e pabesueshme të Real Madridit, skuadra që për gati 70 vite ka përmbysur në “Bernabeu” humbje edhe më të dhimbshme se 3-0 i së martës në “Emirates”. Problemi është se Florentino Perez nuk është i njohur për durimin e tij…
Në sezonin e rikthimit të Ancelottit, 2021-2022, ai ishte gati ta shkarkonte trajnerin italian, i cili më pas fitoi “dopietën” (La Liga dhe Champions), duke e detyruar presidentin e bardhë të tërhiqej. Një vendim i mençur, sepse dy vite më vonë Ancelotti përsëriti suksesin.
Historia vlen shumë, ose pak në “Casa Blanca”, në varësi të faktit nëse shihen rezultatet e momentit apo thjesht pastrohet salla e trofeve. “Carletto” është pas një Barçe që duket se po ecën drejt titullit të La Liga-s. Nëse nuk fiton asgjë këtë sezon, është e mundur që Perez të bëjë ndryshime në pankinë, edhe pse nga jashtë kjo duket një marrëzi.
Sidoqoftë, kur flitet për “Olimpin e bardhë”, nuk mund të mendosh si njerëzit e zakonshëm. Ancelotti ka fituar aq shumë dhe ka aq shumë skuadra që e duan, saqë, edhe pse ndjehet shumë mirë në Madrid, nuk do kishte problem të largohej nga “Bernabeu”. Në Brazil shpresojnë ta shohin në stolin e “Seleçaos”, edhe disa klube të mëdha do bënin çmos për ta pasur, ndonëse nuk është më i ri…
Ancelotti gjithsesi është i fokusuar vetëm te ndeshja e kthimit, duke u nisur nga disa fakte. Arsenali përfitoi nga dy goditje standarte të mrekullueshme të Declan Rice dhe shënoi të tretin kur Real Madridi kishte rënë psikologjikisht. Prandaj, trajneri italian nuk dorëzohet: “Duhet të shikojmë përpara, të punojmë dhe të besojmë se mund t’ia dalim, të gjithë bashkë.
Do jetë shumë e vështirë, por do ta provojmë deri në fund. Për një orë luajtëm mirë, por pastaj na rrëzuan psikologjikisht dy golat nga goditjet e dënimit dhe ra përqendrimi. Keqardhje, sepse në pjesën e dytë nuk arritëm të bëjmë atë që bëmë në të parën. Para golave të tyre, ndeshja ishte në ekuilibër, Arsenali kishte topin, por pa hapësira mes linjave. Pas 2-0, skuadra ime u dorëzua mendërisht”.
Siç thotë vetë Ancelotti, përmbysja do të jetë e mundur vetëm nëse të gjithë besojnë së bashku. Sidoqoftë, ky unitet mes trajnerit dhe grupit nuk është më i sigurt. Mediat spanjolle, pas disfatës në "Emirates", nisën "proceset" ndaj trajnerit nga Reggio Emilia dhe kritikat u përqendruan pikërisht te raporti me lojtarët.
Sipas “El Mundo Deportivo”, diçka është "krisur" mes Ancelottit dhe disa lojtarëve. Në një video të publikuar në X (ish-Twitter), shihet trajneri italian që jep udhëzime taktike për Camavinga dhe Bellingham në anë të fushës, por dyshja në fjalë duket se kundërshton. Më pas Bellingham tund kokën me mosbesim, përpara se të kthehet në fushë.
“Është folur shumë këtë sezon për një mundësi përçarjeje mes trajnerit dhe disa lojtarëve, – shkruan “El Mundo”. – Ajo që ndodhi në ‘Emirates’ mund ta konfirmojë këtë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





