

Paul Pogba i vitit 2025 është një njeri ndryshe nga ai që publiku ka njohur ndër vite. Flet me zë të ulët, me qetësi dhe një buzëqeshje të lehtë, larg imazhit të yllit ekstravagant e plot vetëbesim që e shoqëroi në kulmin e karrierës. “Para së gjithash, nuk shoh orën që të luaj përsëri, – rrëfehet ai për “GQ France”, me një emocion të dukshëm në zë. – E di, ka kaluar shumë kohë që kur kam luajtur për herë të fundit”.
I lindur më 1993, Pogba përjetoi një vit 2024 të vështirë, me prishjen e kontratës së tij me Juventusin në nëntor. Tani është i lirë të nënshkruajë me çdo klub, situatë e rrallë për një futbollist të kalibrit të tij, që dikur konsiderohej si një nga mesfushorët më të talentuar në botë. “Nuk e kisha imagjinuar kurrë të isha lojtar i lirë në këtë pikë të sezonit. Nuk e kam përjetuar ndonjëherë diçka të tillë”, – pranon ai.
E ardhmja është e pasigurt, por jo pa mundësi. “Kam marrë propozime, vijnë nga çdo anë”, – nënvizon Pogba, pa zbuluar më shumë, duke ruajtur misterin mbi të ardhmen si futbollist, pasi mbaroi dënimin për përdorim dopingu. Marseille, SHBA, Lindja e Mesme, Premier League? Të gjitha janë në lojë si opsione, por ai nuk e ndien të nevojshme të flasë me emra: “Dua të shoh çfarë më përshtatet më shumë, sepse jam në një moment vendimtar të jetës dhe karrierës sime. Është një vendim që do ta peshoj me kujdes”.
Edhe pse nuk është nën kontratë, Pogba nuk e ka me nxitim. “Gjithçka është interesante”, – është komenti i vetëm për të ardhmen e tij, duke shmangur çdo spekulim të mëtejshëm. Ai gjithashtu nuk përjashton mundësinë për t’u rikthyer te kombëtarja franceze, ndjekur nga shembuj si André-Pierre Gignac apo N’Golo Kanté, që kanë luajtur jashtë vendit pa e humbur vendin te “Les Bleus”. Megjithatë, Pogba është i vetëdijshëm: gjithçka do të varet nga gjendja e tij fizike dhe mendore.
E kaluara me plagë fizike dhe sfida personale e ka ndryshuar, por jo thyer. Ndërsa vitet kalojnë dhe trupi nuk është më ai i Pogba-së së dikurshëm, dëshira për të luftuar është më e fortë se kurrë. “Këto sprova më kanë dhënë edhe më shumë vendosmëri. Ndihem si një fëmijë që ëndërron të bëhet profesionist, – thotë ai, ndërsa buzëqeshja i rikthehet në fytyrë. – Jam bërë sërish ai Paul Pogba i vogël nga Roissy-en-Brie, që do të lërë gjurmë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





