

Washington- Administrata e re amerikane ka bërë lëvizjen e parë publike në raport me Ballkanin Perëndimor duke kërkuar largimin e misionit të Kombeve të Bashkuara UNMIK.
Kërkesa u paraqit në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit nga i ngarkuari me punë në këtë organizatë John Kelley dhe u mbështet edhe nga ministrja e Jashtme Donika Gervalla.
“Ka ardhur koha për të tërhequr UNMIK-un nga Kosova. Ne kërkojmë mbylljen graduale të këtij misioni. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të çrrënjosur shpenzimet e panevojshme në organizatat ndërkombëtare. UNMIK-u është një mision paqeruajtës pa paqeruajtës, me 81 për qind të buxhetit të tij që shkon për pagat e personelit edhe pse misioni ka tejkaluar prej kohësh mandatin e tij”, është shprehur John Kelley.
Ndërkohë gjatë seancës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia shkëmbyen akuza të ndërsjellta.
Serbia nëpërmjet kryediplomatit Djuriç e akuzoi Kosovën se situata e serbëve atje po përkeqësohet. Kryediplomatja Gervalla tha se Beogradi synon destabilizimin e situatës.
Ndërkaq, ambasadori rus e shfrytëzoi këtë takim për të denoncuar memorandumin e nënshkruar mes ministrave të Mbrojtjes së Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.
Normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nga ambasadoret e shteteve perëndimore u konsiderua thelbësor për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





