

Manzë, Durrës – Dhunon shërbimin e Urgjencës dhe policinë, arrestohet 39-vjeçari
Një incident është regjistruar në fshatin Përlat të Manzës, ku një 39-vjeçar ka goditur me send të fortë autoambulancën dhe personelin e Urgjencës së Durrësit, të cilët kishin shkuar për t’i dhënë ndihmë mjekësore në banesë.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë së Stacionit Manzë kanë ndërhyrë duke arrestuar autorin e dyshuar, shtetasin L. D., 39 vjeç.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në orët e pasdites, kur familjarët e shtetasit L. D. kishin kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të gjendjes së tij shëndetësore. Pasi ekipi i Urgjencës mbërriti në vendngjarje me autoambulancë, 39-vjeçari, në gjendje të acaruar dhe agresive, ka sulmuar mjekët dhe infermierët me sende të forta, duke dëmtuar pjesërisht edhe automjetin e emergjencës.
Pavarësisht përpjekjeve për ta qetësuar, ai ka vazhduar sjelljet agresive edhe gjatë ndërhyrjes së Policisë.
Gjatë shoqërimit në komisariat, ai akuzohet se ka kërcënuar dhe kundërshtuar efektivët për shkak të detyrës.
Ndaj tij janë referuar materialet procedurale në Prokurori, për veprat penale: “Shkatërrimi i pronës”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





