

Kapet në Durrës një egjiptian i kërkuar nga Itali për trafikim njerëzor – Finalizohet operacioni “Operacionalja 36”: U kap nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 36”, shtetasi Walid Elabd
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe autoritetet italiane, ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Operacionalja 36”, duke kapur në Durrës një shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht për trafikim të qenieve njerëzore.
I arrestuari është Walid Elabd, 49 vjeç, me origjinë nga Egjipti, i cili dyshohet se ka krijuar dhe drejtuar në Itali një organizatë kriminale të përfshirë në trafikimin e njerëzve.
Për këtë shtetas, Gjykata e Katanias në Itali ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar, duke e akuzuar për veprën penale të “Trafikimit të qenieve njerëzore”, të kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Sipas legjislacionit italian, kjo vepër penale parashikon një dënim maksimal prej 20 vitesh burgim, raporton noa.al.
Pas arrestimit, autoritetet shqiptare, përmes Interpol Tiranës, kanë nisur bashkëpunimin me homologët e tyre në Interpol Romë, me qëllim përfundimin e procedurave ligjore për ekstradimin e 49-vjeçarit drejt Italisë, ku do të përballet me drejtësinë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





