Transmetuar më 08-04-2025, 08:22

Java e 33-të e Superiores e uli siparin me derbin e madh të kryeqytetit, Tirana-Partizani. Sfidë mjaft e ndezur, e cila përfundoi me rezultatin 3-0 në favor të bardhebluve, të cilët kishin nevojë jetike për pikë, pasi mbanin vendin e fundit në klasifikim dhe rrezikojnë mbijetesën mes më të mirëve. Një sukses që ka lënë të kënaqur krejt mjedisin bardheblu, sidomos presidentin Refik Halili, i cili u shpreh për mediat pas ndeshjes:

"Të flasim për vazhdimësinë tani, të shohim çfarë do të bëjmë. Shpresojmë që skuadra të ecë kështu përpara, ju përgëzoj të gjithëve për interesimin ndaj këtij klubi… Kam parë gjatë kësaj kohe se edhe media, që ne i kemi dhënë të drejtën televizive, nuk ka absolutisht asnjë lloj interesi për klubin e Trianës.

Nëse duhet argument, është i thjeshtë. Është gëzim shumë i madh që kryeministri miraton ndërtimin e një stadiumi, kur vjen puna mediat sportive ngado nuk thanë asnjë koment që ky është një gëzim i madh, se kryeqyteti do bëhet me stadium të ri.

Sa i përket ekipit dhe pjesës së futbollit, ne kemi qenë në një gjendje jo të mirë në rezultate. Nuk dua të ankohem, përgëzoj çunat, shpresoj që në të ardhmen të dalim nga kjo baltë, ku jemi zhytur të gjithë bashkë, nga unë e deri tek i fundit.

Unë e di shumë mirë që skuadra ka futbollistë shumë, shumë, shumë të mirë dhe këtë e kam bindje. Në një takim që kam pasur me skuadrën i kam bërë të ditur se sezonin e ardhshëm do ta vazhdoj bashkëpunimin, kuptohet duke pasur disa lëvizje në organikë. Do të ishte kënaqësi ta vazhdoja bashkëpunimin me ta, pa lëvizur asnjë lojtar, por vetëkuptohet që në të ardhmen do të bëjmë edhe ndryshime, me shpresë që të vazhdojmë kështu siç bëmë në derbin ndaj Partizanit.

A jam pjesë e stadiumit të ri? Për të dhënë një përgjigje nuk më dalin as 50 orë, kam shumë gjëra për të thënë për klubin, futbollin, kampionatin shqiptar. Në ditët në vazhdim mund të flasim shumë gjëra. Mund të them një gjë, se unë jam pjesë e brendshme e stadiumit.

E di që nuk ju intereson në përgjithësi shumë njerëzve kjo, për atë stadium është bërë ndoshta edhe kjo zallamahia e madhe, që nuk ka pushuar. Unë jam pjesë e stadiumit, ju përshëndes, urojmë e jam i bindur që do të ecim përpara dhe klubi do të shkojë në maja shumë të larta në vitet e ardhshme”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit