Magazinë
Transmetuar më 03-04-2025, 09:31

U nda sot nga jeta Margarita Xhepa, një nga Zonjat e Mëdha të teatrit dhe filmit shqiptar që ka skalitur memorien e publikut shqiptare me role brilante që prej fillimit të saj, në vitet 60 dhe deri më tani.

Nga viti 1950 u aktivizua si artiste probiste në Teatrin Popullor (sot Teatri Kombëtar) dhe njëkohësisht studioi në Liceun Artistik, dega e Dramës.

Ka krijuar mbi 150 role në teatër, midis të cilëve mund të përmendim: Majlindën tek filmi “Majlinda”, Dafina tek Lumi i vdekur , Filja tek Cuca e maleve , Zonja Mëmë tek Kush e solli Doruntinën , Nëna tek Përballë vetes etj.

Ka qënë njësoj e suksesshme në rolet e dramaturgjisë botërore, si Ofelia tek Hamleti, vajza e dytë tek Mbreti Lir, dado tek Romeo e Xhulieta, Mbretëresha Margaret tek Rikardi III, të Shekspirit.

Në rolet e tjera nga dramaturgjia botërore spikasin Klea tek Dhelpra dhe rrushtë (Figereido), Lena tek Xhaxha Vanja (Çehov), Ledi Milford tek Luiza Miler, Zonja Berling tek Vizita e inspektorit (Pristli), Zonja Lomen tek Vdekja e një komisioneri, Ana Andrejevna tek Revizori, Marsela tek Qeni i kopshtarit , Mashenka tek Mashenka, Shejla tek Morali i zonjës Dulska, apo Dado tek Elektra e Sofokliut, nën drejtimin e regjisorit grek Dhimitri Mavriqis, në Teatrin Kombëtar të Greqisë në Athinë.

Veç roleve në teatër, ka realizuar edhe 32 role në kinematografi, duke punuar me shumicën e regjisorëve shqiptarë.

Margarita Xhepa ka qenë pjesë e filmave “Vitet e para” , “Gjurmët”, “Dimri i fundit”, “Tokë e përgjakur”, “Një djalë edhe një vajzë”, “Apasionata”, “Gjeneral gramafoni”, “Rrethi i kujtesës”, “Vitet e pritjes”, “Dora e ngrohtë”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Pranvera s’erdhi vetëm”, “Koncert në vitin 1936”, “E diela e fundit” dhe “I dashur armik”.

Në vitin 1997, interpretoi në filmin grek “Mirupafshim” . Filmi u laureua me Çmimin e Madh në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Mesdhetar në Selanik, ndërsa Margarita Xhepa, Çmimin e Nderit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit