Magazinë
Transmetuar më 02-04-2025, 08:43

Milani po kalon një periudhë të vështirë dhe Sergio Conceiçao nuk e fsheh zhgënjimin e tij. Në konferencën për shtyp, në prag të gjysmëfinales së parë të Kupës së Italisë kundër Interit, trajneri portugez u shpreh i pakënaqur me situatën në renditje:

"Nuk kam lidhje me këto beteja. Unë flas si trajner, jam i fokusuar te fitimi i trofeve. Gjatë karrierës sime kam fituar 13 trofe. Tani gjendem në këtë situatë, në vendin e 9-të të Serie A, teksa në Portugali, me skuadra që luftonin për mbijetesë, isha më lart. Unë jam një trajner që lufton në çdo ndeshje për të fituar dhe për të arritur objektiva të mëdhenj, jo për vendin e 9-të".

Deklarata e tij nënvizon zhgënjimin për momentin e Milanit dhe ambicien për ta rikthyer skuadrën kuqezi në rrugën e suksesit.

Ju presin dy derbi shumë të rëndësishëm gjysmëfinal…

Duam të bëjmë një ndeshje të mirë, zikaltrit janë shumë të fortë. Duhet të hyjmë në fushë me vetëbesim dhe të fitojmë. Pas ndeshjes është gjithmonë e lehtë të flasësh, por para saj jam unë njeriu që zgjedh formacionin ideal. Deri tani, ata që kanë hyrë nga stoli kanë dhënë rezultate pozitive”.

A është ky shansi i fundit për Europën?

Nuk duhet të mendojmë shumë për këto gjëra, duhet vetëm të fitojmë. Sigurisht, Kupa është rruga më e shkurtër për në Europë, por kemi ende disa ndeshje në kampionat për t’i fituar.

Interi luan pa Lautaron…

Edhe ne kemi mungesa të rëndësishme si Loftus-Cheek. Zikaltrit kanë një skuadër të gjerë e të kompletuar.

Si e përjetoni këtë derbi dhe sa mund të ndikojë ndeshja e parë në kualifikim?

Derbi është gjithmonë një ndeshje e rëndësishme, për kontekstin, për tifozët, për të gjithë. Çdo ndeshje ka momentet dhe lojtarët e vet. Interi është një skuadër shumë e fortë, me bazë solide, por ne duam të hyjmë fuqishëm dhe të arrijmë objektivin, që është fitorja.

A mund të jetë një natë e madhe për Leaon?

Atë që mendoj për të, e kam thënë pas Superkupës. E njoh që kur ishte fëmijë. Ai ka nevojë të evoluojë, diçka që ende nuk e ka arritur. Në nivel talenti dhe cilësie, është një nga më të mirët në botë, por duhet të gjejë vazhdimësinë për të shënuar 20 gola në sezon, përveç asistimeve. Këtë vazhdimësi duhet ta gjejë vetë. Mos më pyesni pse luan ose jo, unë vendos bazuar në atë që shohim çdo ditë në stërvitje.

Santiago Gimenez ka pasur vështirësi, çfarë mendoni?

Është normale të ketë nevojë për kohë për t’u ambientuar. Pas 4-5 golave të parë, ai pati një rënie. Kampionati italian është një nga më të vështirët në botë. Duhet ta lëmë të qetë dhe të rifitojë besimin.

A mund ta ndryshojë ky derbi ecurinë e sezonit?

Mund ta shikoni gotën gjysmë plot, ose gjysmë bosh. Milani nuk ka fituar dy tituj në një sezon prej shumë vitesh. Në nivel renditjeje, nuk jemi aty ku duam, por ky derbi është i rëndësishëm, sepse mund të na afrojë me finalen.

Pse nuk keni arritur t’i jepni stabilitet mbrojtjes së Milanit?

Për të pasur ekuilibër, duhet të jetë e përfshirë e gjithë skuadra, jo vetëm mbrojtja. Dua një skuadër kompakte, por kur nuk shtypim me intensitet përpara, bëhet e vështirë. Nuk kemi një sjellje kolektive, kështu që bëhemi të cenueshëm.

Fitorja e Kupës së Italisë do ta bënte këtë sezon të suksesshëm për ju…

Sigurisht që do të isha i kënaqur për një trofe tjetër, por fillimisht duhet të kalojmë gjysmëfinalet dhe pastaj finalen. Tani për tani, nuk jam personi më i lumtur në botë për atë që kam përjetuar në këto tre muaj. Gjithsesi, marrëdhënia me skuadrën është shumë e mirë, siç u pa edhe në pjesën e dytë ndaj Napolit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit