Magazinë
Transmetuar më 01-04-2025, 12:53

Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar për herë të parë në lidhje me vendimin e Gjykatës Franceze për të dënuar lideren e ekstremit të djathtë në Francë, Marine Le Pen.

Gjatë një konference me gazetarët nga Zyra Ovale, Trump tha se vendimi i gjykatës për të ndaluar kandidimin e Le Pen në zgjedhje ngjason shumë me procesin gjyqësor të bërë ndaj tij në SHBA, për ta ndaluar të garonte për president.

Pyetja: Zoti President, Marine Le Pen, liderja e ekstremit të djathtë, u dënua nga gjykata dhe tani i është ndaluar kandidimi për poste publike për pesë vjet. A keni ndonjë koment?

Përgjigjja e Trump: Kjo është një çështje e madhe. Është një çështje shumë e madhe. Di gjithçka rreth saj dhe shumë njerëz mendonin se ajo nuk do të dënohej. Nuk e di nëse kjo nënkupton një dënim të plotë, por asaj i është ndaluar kandidimi për pesë vjet, dhe ajo është kandidatja kryesore. Kjo më kujton këtë vend. Kjo më kujton shumë vendin tonë.

Politikania franceze e të djathtës ekstreme, Marine Le Pen, u shpall fajtore për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian për një periudhë 12-vjeçare.

Përmes një vendimi që ka shkundur politikën franceze dhe atë evropiane, gjykata në Paris ka thënë se ajo nuk mund të garojë për asnjë pozitë politike publike – që nënkupton se ajo duket që do të jetë jashtë garës për zgjedhjet presidenciale, të cilat duhet të mbahen më së largu në pranverën e vitit 2027.

Ajo u largua nga seanca gjyqësore pa bërë asnjë koment. Ndonëse mund të apelojë vendimin, çdo hap mund të marrë vite, ka shumë mundësi që ky do të jetë fundi i karrierës së saj politike.

Le Pen, e cila ka garuar kundër presidentit aktual, Emmanuel Macron më 2017 dhe 2022, konsiderohej figura favorite për t’u bërë gruaja e parë presidente e Francës.

Më 2022, ajo pati fituar 41.5 për qind të votave në rundin e dytë, duke shënuar rezultatin më të mirë të një kandidati të së djathtës ekstreme në garën presidenciale të Francës. Meqë Macronit i ndalohet të garojë për një mandat të tretë, Le Pen konsiderohej figura më e njohur për zgjedhjet e ardhshme, dhe sondazhet e hershme sinjalizonin që ajo do të mposhtte kandidatët tjerë nga e majta dhe e djathta.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit