

Norvegji, 2025 – Autoritetet norvegjeze kanë dënuar me 15 vite burg shtetasin shqiptar Saimir Kushova, 48 vjeç, për përfshirje në trafik droge. Ai ishte pjesë e një grupi kriminal që trafikonte 150 kg kokainë, në një nga kapjet më të mëdha të lëndëve narkotike në Norvegjinë perëndimore.
Kushova është gjithashtu në kërkim nga autoritetet shqiptare për rolin e tij në vdekjen e 29-vjeçares britanike, Rebecca Gannon, e cila humbi jetën gjatë një ekspedite zhytjeje më 19 shtator 2022, e organizuar prej tij. Në atë kohë, 48-vjeçari ushtronte profesionin e instruktorit të zhytjes, përpara se të përfshihej në trafik droge.
Që nga vdekja e vajzës së tij, babai i saj, George Gannon, ka kërkuar drejtësi nga autoritetet shqiptare. Ai ka kaluar vite të tëra duke ndjekur çështjen në Shqipëri dhe shprehet i zhgënjyer për faktin se Kushova nuk është përballur ende me drejtësinë shqiptare. “Ndjehem sikur ai po i shpëton drejtësisë për rolin e tij në vdekjen e Rebeccës, por unë nuk do të dorëzohem kurrë,” tha ai për MailOnline.
Sipas tij, autoritetet shqiptare kanë vepruar me vonesë në ngritjen e akuzave ndaj 48-vjeçarit. Kushova ishte arrestuar më herët në Shqipëri, por arriti të arratisej dy herë përpara se të përfundonte në Norvegji, ku u kap dhe u dënua për trafik droge.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd