

Pas dy rasteve tragjike në komunën e Vushtrrisë, të martën është mbledhur Këshilli Komunal i Sigurisë në Bashkësi.
Kryetari i Komunës, Ferit Idrizi ka njoftuar se do të merren masa të menjëhershme për rritjen e sigurisë së qytetarëve.
“Pas ngjarjeve tragjike të dy ditëve të fundit, sot kam ftuar një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, ku kemi diskutuar për masat e menjëhershme që duhet të ndërmerren për rritjen e sigurisë për qytetarët tanë”, ka shkruar Idrizi.
Nga kjo mbledhje është rekomanduar që Drejtoria e Arsimit të mbajë takime të rregullta me prindërit, të bëhet organizimi i fushatave vetëdijësuese, të mbahen ligjërata vetëdijësuese kundër dhunës e respektimi i orarit të punës të lokaleve afariste, gastronomi, si dhe lokalet që si veprimtari kanë videolojërat.
Po ashtu është rekomanduar që policia të shtojë kontrollin në të gjithë territorin, në shkolla dhe hapësira publike, gjithashtu shtimi i patrullimeve këmbësore në zonat e frekuentuara.
Më 23 mars një 19-vjeçar u qëllua për vdekje me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij në Vushtrri. Pa kaluar 24 orë, një burrë 58-vjecar vrau me armë zjarri një grua 42-vjecare e pastaj vrau edhe vetën në fshatin Stanofc të Vushtrrisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd