

ITALI- Dy vite nga vrasja e 33-vjeçari, Alfonso Kola dhe drejtësia italiane ende nuk ka vendosur asgjë për këtë rast. Autori, Petrit Gega u arrestua menjëherë pas ngjarjes. Dëshmitarët treguan se ai vuante nga probleme me alkoolin dhe ishte i dhunshëm.
“E bëra sepse dëgjoja zëra, shpirtrat më urdhëruan që ta bëja”, tha ai pasi u arrestua.
Autori e njihte që në Shqipëri familjen e viktimës. Arbid Kola, kushëriri i të ndjerit tregoi se edhe ai vetë e njihte Gegën. Ai theksoi se autori i urrente ata pasi mendonte se i kishin thyer xhamin e makinës.
“E urrente familjen tonë, ishte i zemëruar me ne. Mendonte se i kishim thyer dritaren e makinës”, tregoi ai. Pesë vite para ngjarjes së rëndë, Gega kishte qëlluar edhe vëllain e Arbidit dhe Alfonsin.
“Kanë qenë duke pirë. Kanë pasur armiqësi që atëherë. Isha i kërcënuar edhe vetë. U përpoq që të më thyente krahun me një shkop bejsbolli. Gega donte që të shisja drogë për të”, tha ai.
Për të gjitha këto arsye, gjykata kërkoi raport psikiatrik për shqiptarin. Sipas tij, Gega vuan nga një çrregullim agresiv i personalitetit.
Sherri i dhunshëm mes dy shqiptari nisi në tavolinat e një lokali. Gega dhe Kola ishin të dy nga fshati Kallmet i Vogël i Lezhës. 52-vjeçari e goditi të riun disa herë me thikë buke dhe e la të gjakosur në mes të rrugës. I plagosuri u transportua me urgjencë në spital, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk arriti t’i mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd