

Durrës, 23 mars 2025 – Tre persona janë vënë në prangat e policisë ditën e sotme në qytetin e Durrësit, si rezultat i finalizimit të operacionit policor të koduar "Spring".
Mësohet se është arrestuar në flagrancë Haxhi Çela, 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale "prodhim dhe shitje narkotikësh", kryer në bashkëpunim me dy persona të tjerë, Ardis Kraja (43 vjeç) dhe Gerald Kuqi (25 vjeç), banues në Durrës. Gjatë kontrollit të automjetit të Çelës, policia gjeti dhe sekuestruar 3.5 kilogramë lëndë narkotike cannabis sativa.
Po ashtu, gjatë kontrollit të automjeteve të bashkëpunëtorëve, u gjet dhe u sekuestrua një dorezë hekuri. Të tre shtetasit akuzohen për veprat penale "prodhimi dhe shitja e narkotikëve", si dhe "prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta".
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Operacione të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar "Spring". Ushtronin veprimtari kriminale në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së kanabisit, kapen dhe vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen 3.5 kilogramë kanabis, e përpunuar dhe gati për shitje.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Durrës, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Spring".
Si rezultat, u arrestua në flagrancë shtetasi Haxhi Çela, 34 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", kryer në bashkëpunim. Gjatë operacionit, pranë mbikalimit të Shkozetit, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll automjetin që drejtohej nga shtetasi Haxhi Çela, i dyshuar se po transportonte lëndë narkotike me qëllim shitjen në zonën e Lushnjës. Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sativa, me peshë rreth 3.5 kilogramë.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i dy shtetasve të tjerë, konkretisht Ardis Kraja, 43 vjeç dhe Gerald Kuqi, 25 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta”. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta dy shtetas i kishin shitur shtetasit Haxhi Çela, në zonën e Spitallës, lagjja nr. 15, lëndën narkotike që iu sekuestrua gjatë këtij operacioni.
Gjatë kontrollit në automjetin me të cilin udhëtonin shtetasit Ardis Kraja dhe Gerald Kuqi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një dorezë hekuri. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd