Transmetuar më 21-03-2025, 11:55

FUSHË-PREZË- Të tjera detaje vijojnë të zbardhen për aksidentin tragjik të ndodhur mbrëmjen e 19 marsit në aksin Vorë-Fushë Krujë, ku humbën jetën 4 të rinj. Nga verifikimet paraprake rezulton që në momentin e përplasjes automjeti tip "Benz" ka qenë me shpejtësi shumë të lartë.

Sipas informacioneve, automjeti me të cilin udhëtonin të rinjtë fillimisht ka kryer parakalimin ndaj 2 kamionëve dhe më pas ka hyrë sërish në korsin e vet dhe pak sekonda më vonë janë përplasur me betonieren e ndaluar.

Ndërkohë janë mësuar dhe pjesë nga dëshmua e shoferit 24-vjeçar të betoniere, Aleksandër Krrashi, i cili ka deklaruar se sapo ka hyrë në rrugën kryesore pasi ka dalë nga vendi i punës, i është fikur mjeti pasi sipas tij kishte mbaruar nafta. Ai ka thënë se ka provuar ta ndezë dy herë dhe më pas ka shkuar në një karburant aty pranë për të marrë naftë dhe sipas tij ka harruar të ndezë bllokazhin e makinës.

Dinamika e aksidentit

Ngjarja ka ndodhur më 19 mars rreth orës 23:50 në Fushë-Prezë. Nga ky aksident tragjik humbën jetën 4 të rinj të moshës 20-25 vjeç. Viktimat janë identifikuar si Enejdi Laçi, Erildi Laçi, Andi Laçi dhe Enrikejd Kurti. Sipas informacioneve, pranë vendit ku ndodhi ngjarja gjendet pika e betonit dhe betonieria me të cilën u përplas automjeti sapo kishte dalë në rrugë.

Automjeti tip "Benz" me të cilin udhëtonin 4 të rinjtë ka qenë në lëvizje teska ka ardhur nga pas dhe e ka goditur betonieren. "Benz-i" ka shpërthyer menjëherë në flakë, duke u marrë jetën 4 të rinjve, që për fat të keq u dogjën brenda makinës. Ndërkohë shoferi i betonieres, 24-vjeçari Aleksandër Krrashi, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe u shoqërua më vonë nga policia.

Automjeti tip "Benz" ka qenë me impiant benzinë-gaz, që mendohet të jetë edhe shkaku i shpërthimit të zjarrit menjëherë pas përplasjes. Një detaj tjetër që mund të ketë ndikuar në aksident, është edhe fakti se rruga nuk ishte e ndriçuar.

Sipas informacioneve, ka qenë një patrullë policie ajo që ka konstatuar aksidentin duke njoftuar zjarrëfikësen e Fushë-Krujës, e cila e ka pasur të pamundur shuarjen e flakëve dhe më pas është kërkuar dhe ndërhyrja e zjarrfikëses nga Tirana.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit