Transmetuar më 20-03-2025, 08:22

Pedri ka dhënë një intervistë të gjatë për RAC1, drejtpërdrejt nga grumbullimi i kombëtares spanjolle. Mesfushori i Barcelonës foli për disa çështje aktuale, përshirë përmbysjes kundër Atletico Madridit: "Pavarësisht disavantazhit 2-0, e dinim se do të kishim mundësi.

Është e vërtetë gjithashtu që goli i Lewandowskit menjëherë pas golit të dytë të tyre na ndihmoi shumë. Jemi një skuadër që beson gjithmonë tek aftësitë e veta dhe krijojmë shumë raste. Pavarësisht se çfarë ndodh, qoftë me një lojtar më pak apo me dy gola disavantazh, gjithmonë mundohemi të japim maksimumin. Është bukur të fitosh me përmbysje, por preferoj ta bëj më rehat. Besimi që kemi te vetja na bën më të fortë".

Mundësitë për tituj: "Aktualisht jemi në garë për çdo kompeticion. Tripleta sezonale? Jemi të rinj dhe duhet të mos dorëzohemi deri në fund. Kemi ambicien për të fituar shumë tituj".

Qëllimi kryesor: "Do të isha shumë i lumtur të fitoja Champions League. Është një trofe që nuk e kam fituar kurrë, edhe Barcelona nuk e ka ngritur prej shumë kohësh".

Sfida kundër Borussia Dortmundit: "Është një kundërshtar i vështirë. Kemi luajtur tashmë me ta dhe e dimë që nuk do të na falin asgjë. Jam i bindur që do të zhvillojmë një ndeshje të bukur".

Finale e mundshme kundër Real Madridit? "A do të firmosja për ta luajtur finalen e Champions League ndaj Real Madridit? Pse jo? Nuk duhet të kemi frikë nga askush".

Forma aktuale: "Të luaj rregullisht më ndihmon, ndiej se jam në formën më të mirë të karrierës sime".

Lamtumirë lëndimeve: "Kam punuar shumë për ta arritur këtë nivel. Nuk kam ndryshuar asgjë në dietën time, por mënyra e stërvitjes është ndryshe. Nuk ngre më pesha; gjithçka bazohet në ‘stretching’ dhe shirita elastikë, sepse kjo funksionon më mirë për mua.

Në fund, gjithçka ka të bëjë me përshtatjen e muskujve dhe gjetjen e asaj që të ndihmon të shmangësh dëmtimet. Nuk kam më frikë, kjo është diçka që i përket së kaluarës. Të luaj rregullisht më ndihmon shumë, ndiej se jam në formën më të mirë të karrierës sime".

Për Dani Olmo: "Më kujtohet kur, gjatë Europianit, na thanë se nuk mund të luanim bashkë, se nuk kishim marrëdhënie të mirë… Qeshëm shumë, sepse kemi një raport fantastik. Më pëlqen shumë të luaj me të, askush nuk di të lëvizë mes linjave si ai. Kontrolli i tij i parë është i pabesueshëm dhe na sjell shumë cilësi. Për më tepër, shënon gola dhe jep asiste".

Trioja Yamal-Lewandowski-Raphinha: "Çfarë mund të them më shumë? Lamine është ai që bën diferencën në situatat një kundër një; duket sikur nuk ka problem ta kalojë kundërshtarin e parë. Disa thoshin se nuk shënon shumë gola… Epo, e bëri të dielën. Lewandowski është një nga finalizuesit më të mirë në histori, ndërsa Rafa… Ai bën gjithçka. Është i mrekullueshëm.

Raphinha është ai që më ka habitur më shumë me paraqitjet e tij. E meriton për aq sa ka punuar për të arritur deri këtu. Si kapiten është zemra e skuadrës. Gjithmonë i gatshëm për të punuar. Kur sheh dikë që jep gjithçka në fushë, duke vrapuar dhe duke shtypur kundërshtarin, kjo frymëzon gjithë ekipin. Dhe kjo është diçka e bukur".

Marrëdhënia me Xavi Hernández: "Kam një marrëdhënie të mirë me të. Thonë se i dërgoj kunja përmes mediave, por nuk është e vërtetë. Marrëdhënia jonë është e mirë; nuk kam asgjë kundër tij. Kur them që stërvitem ndryshe, nuk është një mënyrë për ta sulmuar apo ulur vlerat e tij. Aspak".

Stili i Hansi Flick: "Është e vërtetë që tani duam të jemi në formë fizike të shkëlqyer, shtyjmë për 90 minuta dhe mbajmë vijën e mbrojtjes lart. Ky është identiteti i Flick. Kur duhet të jetë serioz, është shumë serioz. Por kur bëjmë shaka, ai është i pari që bashkohet me ne. Për më tepër, është shumë i kujdesshëm ndaj atyre që nuk luajnë. Është një person shumë i afërt dhe i përkushtuar".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit