Transmetuar më 20-03-2025, 07:39

Kylian Mbappé ka dhënë një intervistë të gjatë në gazetën “Le Parisien”, ku ka folur për aktualitetin që rrethon karrierën e tij, Real Madridin, PSG dhe kombëtaren francize, pas rikthimit te “Les Bleus”. Ai ka prekur disa tema, përfshirë mundësinë e një përballjeje me ish-ekipin e tij në Champions League, si dhe ka theksuar se nuk ka asnjë inat ndaj Nasser al Khelaifi. "Sigurisht që do t’i shtrija dorën", – tha ai.

Një përballje me PSG-në: "Do të ishte gabimi më i madh të mendoja për këtë. Vitin e kaluar, të gjithë mendonin për një finale PSG-Real Madrid, por në fund asnjëri prej nesh nuk arriti atje. Kështu që, tani mendoj vetëm për Arsenalin, që do të jetë rivali ynë në çerekfinale, dhe për ekipin tim, Real Madridi. Jemi ende në garë në të gjitha kompeticionet dhe mund të arrijmë diçka të madhe në këtë pjesë të fundit të sezonit. Duhet të përqendrohemi te ky objektiv dhe te ndeshjet që na presin. Këto lloj gjërash duhet t’i lëmë për publikun dhe ata që kanë të drejtën të spekulojnë".

Mbështetje për Al Khelaifi: "Sigurisht! Kam luajtur te PSG për 7 vite dhe kam jetuar momente fantastike. Nuk jam tipi i njeriut që shikon vetëm gjërat negative. Di të jem falënderues për atë që njerëzit bëjnë për mua, si në aspektin profesional, ashtu edhe personal. Sigurisht që do t’ia shtrija dorën”.

Gjyqi me PSG-në për 55 milionë euro: "Kjo është në duar të avokatëve. Mendoj se do të zgjidhet shpejt, kështu që nuk është diçka që më shqetëson".

Për marrëdhënien me Griezmann: "Mund t’ju siguroj që unë dhe Antoine kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Ai më ka ftuar disa herë në shtëpinë e tij në Madrid për barbecue. Po, ai më ka shpjeguar pse e ka marrë vendimin për t’u tërhequr nga kombëtarja dhe gjithmonë është e njëjta gjë. Është vendimi i tij dhe vetëm ai mund ta shpjegojë atë. Ne biseduam shumë për këtë para, e bëmë sërish në grumbullimin e Francës në shtator… Ky grumbullim ishte i vështirë për të dhe për mua".

Momentet e vështira këtë sezon dhe arsyet: "Nuk është hera e parë që kaloj një situatë të tillë. Ajo që ka ndryshuar tani është statusi im, gjithashtu pritshmëritë dhe ndikimi. Kam pasur edhe momente të tjera të vështira, por nuk flitej shumë për to, sepse nuk kisha të njëjtin status. Po, e kuptoj që ka ndryshuar gjithçka përreth meje, mënyra se si më shikon publiku, më shumë se vetë unë".

Për Zidane si pasardhës të Deschamps: "Nuk e di kush do të vijë pas tij. E di se dëshironi të flas për këtë, por nuk do ta bëj, sepse nuk është roli im. Ka një president të federatës dhe ai do ta marrë vendimin".

Diferencat me Deschamps: "Janë mosmarrëveshje që nuk është e nevojshme që njerëzit t’i dinë. Në çdo profesion, ndodhin herë pas here mosmarrëveshje, por kjo nuk do të thotë që nuk e respekton ose nuk të pëlqen tjetri. Nëse do të kishte pasur thyerje në marrëdhënie, nuk do t’i merrja ftesat e tij në kombëtare”.

Për Dembélé dhe “Topin e Artë”: "Sot nuk e dimë kush do ta fitojë ‘Topin e Artë’. Nuk duhet të përjashtohet askush, mund të shpërblehen të gjithë lojtarët, ndoshta edhe një portier. Tre muaj më parë do të thoshit: Për çfarë po flet?"

Nëse e ka menduar largimin nga kombëtarja: "Jo, unë po mendoj vetëm për Botërorin 2026, që dua ta fitoj. E kam thënë gjithmonë se objektivi im është të fitoj një tjetër Botëror".

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit