Transmetuar më 19-03-2025, 08:49

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, ka folur për “Sky Sport” në prag të një fundsezoni të zjarrtë për zikaltrit, të cilët janë në garë për të gjitha objektivat: kryesojnë Serie A, janë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munich dhe do të përballen me Milanin në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë:

"Është një moment i lumtur, por me realizëm të shëndetshëm e dimë që duhet të përballemi me dy muajt e fundit të sezonit dhe më pas me Kupën e Botës për Klube, një vazhdim i pazakontë i sezonit. Jemi protagonistë në kompeticionet ku po garojmë, duam të vazhdojmë të jemi të tillë, sepse e thotë historia dhe meritat tona aktuale. Trajneri është sjellë në mënyrë të shkëlqyer, ashtu si lojtarët, skuadra dhe tifozët. Ka një atmosferë të duhur për të arritur në finish në kushtet më të mira".

A ju tremb roli i favoritëve? A mendoni për mundësinë e tripletës sezonale?

Nuk flas për tripletën. Flas për një ambient që duhet të jetë gjithmonë ambicioz. Ambicia nuk është arrogancë, por diçka që të bën të japësh më shumë brenda mundësive të tua, në aspektin motivues. Jemi mësuar të garojmë edhe nën presion të lartë, e rëndësishme është ta bëjmë deri në fund. Nëse të tjerët do të jenë më të mirë se ne, do t’i duartrokasim.

A do të ketë hapësirë për rinovimin e mundshëm të Simone Inzaghit?

Kemi pasur gjithmonë bisedime të tilla kur gjithçka ka qenë e qetë. Janë të gjitha kushtet për të imagjinuar se Simone do të vazhdojë me ne. Është e rëndësishme simbioza e krijuar. Me Inzaghin, të gjithë kemi bërë hapa përpara dhe po kalojmë një cikël që nuk është në përfundim. Kemi pronësi të re, që ka sjellë energji të reja, po avancojmë çështjen e stadiumit të ri… Pra, janë të gjitha parakushtet për të vazhduar bashkë.

A do të bazohet filozofia e ardhshme e Interit në afrimin e lojtarëve të rinj, duke ruajtur konkurrueshmërinë?

Duhet të jemi fleksibël dhe të kuptojmë momentin historik të Italisë. Klubet duhet të përshtaten me një model socio-ekonomik të futbollit europian. Nuk kemi mundësi të shpenzojmë shumë për një lojtar, ndaj duhet të jemi të aftë të ndërtojmë një ekip të fortë dhe konkurrues, por gjithmonë duke pasur si moto qëndrueshmërinë, koncept që duhet ruajtur dhe ndjekur vazhdimisht.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit