

Nga grumbullimi me kombëtaren e Meksikës, sulmuesi i Milanit, Santiago Gimenez, ka folur për momentin e skuadrës kuqezi dhe paraqitjet e tij që nga transferimi në Serie A: "Kur mbërrita te Milani, e kuptova madhështinë e këtij klubi, edhe pse e perceptoja nga jashtë.
Kur je brenda, e ndien dyfish, është gjigant. Nuk po kalojmë një moment të mirë, por më kanë pritur në mënyrën më të mirë të mundshme. Po jetoj një ëndërr, dua të jem shembull për të treguar se me besimin te Zoti gjithçka është e mundur. Po jetoj të tashmen dhe po shijoj çdo sekondë", – tha “El Bebote” për “Azteca TV Deportes”.
Si po përshtatet në Milano: "Si me çdo ndryshim, muaji i parë ka qenë pak i ndërlikuar. Ka gjëra të reja, rrugë të reja, gjithçka është e re, përfshirë edhe gjuhën, natyrisht. Sidoqoftë, pak nga pak po përshtatem. Gruaja ime më ka ndihmuar shumë, më ka mundësuar të përqendrohem kryesisht te futbolli".
Sulmuesi meksikan u transferua te Milani nga Feyenoordi në janar 2025 për rreth 35 milionë euro, duke firmosur kontratë deri më 30 qershor 2029. Ai debutoi me fanellën kuqezi në Kupën e Italisë kundër Romës, ku dha një asist, ndërsa shënoi golin e tij të parë në Serie A kundër Empolit më 8 shkurt.
Në javët e para, Gimenez shkëlqeu me 5 kontribute në gola (3 gola dhe 2 asiste) në 7 ndeshje, duke treguar një ndikim të menjëhershëm. Megjithatë, pas një fillimi premtues, ai ka hasur në vështirësi, duke mos shënuar në 5 ndeshjet e fundit radhazi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






