Magazinë
Transmetuar më 17-03-2025, 21:10

KOSOVË- Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përmes një postimi në "Facebook” kanë njoftuar se Gjykata Speciale ka refuzuar të lirojë ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi për të qenë i pranishëm në ceremoninë e varrimit të babait të tij. Babai i ish-presidentit Haxhi Thaçi ndërroi jetë të dielën mbrëma disa ditë pasi ai e vizitoi në spital.

OVL e UÇK e kanë cilësuar këte vendim të padrejtë, johuman dhe të papranushëm. Sipas tyre ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Me tej në njoftim u kanë bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje. Në postim është kërkuar që të merren masa që raste të tilla të mos përsëriten duke theksuar se të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve.

Reagimi i plotë:

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh indinjatën dhe revoltën e saj të thellë ndaj vendimit të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm të Gjykatës Speciale, e cila ka refuzuar lirimin e bashkëluftëtarit tonë, ish presidentit Hashim Thaçi qe të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe të japë lamtumirën e fundit babait të tij. Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore.

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së.

I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve.

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk do ta toleroj heshtjen e institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj shkeljeve, abuzimeve dhe trajtimit përçmues që po iu bëhet bashkëluftëtareve tanë nga Gjykata Speciale në Hagë!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit