Transmetuar më 14-03-2025, 11:41

TIRANË- Në 2024-n, nisi për herë të parë të ofrohet në sistemin shëndetësor publik shërbimi për fertilizimit in vitro (FIV) falas për çiftet që përballen me infertilitetin, përmes Qendrës së Teknikave të Riprodhimit Mjekësor të Asistuar (RMA) pranë Maternitetit “Koço Gliozheni”.

Nga të dhënat e para të bëra publike te raporti “Realizimi i treguesve të monitorimit financiar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2024” rezulton se është arritur përqindja e suksesit në masën 42%. Nga 20 transfertat e realizuara për 2024, shansi për të pasur fëmijë është realizuar në 9 prej tyre. Fëmija i parë invitro, nga shërbimi i ofruar falas nga spitalet publike ka lindur në dhjetor të 2024-s. Kostoja për pacient llogaritet rreth 330 mijë lekë.

“Një produkt i ri i përfshirë për herë të parë në SUOGJ “Koço Gliozheni” duke ofruar kështu falas procesin e riprodhimit mjekësor të asistuar në institucionet shëndetësore publike.

Sasia e realizuar është 30 pacientë me një kosto prej 326,971 lekë/pacientë. Sipas informacioneve të marra nga Qendra e Riprodhimit Mjekësor të Asistuar, nga 20 transfertat e realizuara gjatë 2024, 9 prej tyre kanë pasur rezultate pozitive ndërkohë që 11 prej tyre kanë pasur rezultate negative. Përqindja e suksesit deri më sot ka qenë 42%.

Procesi i parë i suksesshëm ka përfunduar me lindjen e bebit të parë në datën 10/12/2024 në Q.R.M.A-r në SUOGJ “Koço Gliozheni””, theksohet në raport. Shërbimi do të vijojë të ofrohet edhe për 2025 edhe në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Parashikohen të mbështeten 150 çifte të reja. / Monitor

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit