

Joshua Kimmich më në fund ka shuar çdo dyshim mbi të ardhmen e tij. Pas një pritjeje të gjatë dhe tërheqjes fillestare të ofertës nga Bayern Munich, kapiteni i kombëtares gjermane ka rinovuar zyrtarisht kontratën me klubin bavarez deri në vitin 2029.
Kjo zgjatje e kontratës vjen pas rinovimeve të fundit të lojtarëve kyç si Manuel Neuer, Alphonso Davies dhe Jamal Musiala, duke konfirmuar strategjinë e Bayernit për të blinduar yjet e tij për të ardhmen.
"Te Bayerni kam ambientin ideal për të arritur objektivat e mi sportivë. Prandaj e kam marrë këtë vendim, – deklaroi Kimmich për kanalet zyrtare të klubit bavarez. – Për mua, aktualisht nuk ka një kombinim më të mirë se shokët e skuadrës, stafi teknik dhe struktura e klubit për të siguruar suksesin maksimal. Ndihem shumë mirë këtu, ende nuk e kam përfunduar rrugëtimin tim".
Drejtori sportiv, Christoph Freund, e vlerësoi Kimmichin duke thënë: "Të gjithë mund të shohin sa pasion ka ai për lojën dhe Bayernin, minutë pas minute. Si lider, ai udhëheq dhe motivon ekipin, duke qenë një forcë shtytëse për të ardhmen e klubit".
Gjithashtu, CEO i Bayernit, Jan-Christian Dreesen, e cilësoi urinë e Kimmich për sukses si të pashtershme, veçanërisht e dukshme në fazën e Champions League: "Përkushtimi dhe vendosmëria e tij mishërojnë vlerat e Bayern Munich. Kimmich është figurë kyçe për të ndërtuar një urë mes brezit aktual të lojtarëve dhe epokës së re që po vjen".
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd