Transmetuar më 13-03-2025, 23:09

Bulqizë – Policia ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me aksidentin e rëndë që ndodhi mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Bulqizë-fshati Peladhi, pranë vendit të quajtur “Ura e qytetit”.

Sipas të dhënave zyrtare, një automjet ka dalë nga rruga, duke shkaktuar vdekjen e një 31-vjeçareje dhe plagosjen e pesë personave të tjerë. Viktima është identifikuar si M.Z., ndërsa të plagosurit, përfshirë drejtuesin e mjetit, janë dërguar me urgjencë drejt Tiranës për ndihmë mjekësore më të specializuar.

Njoftimi zyrtar i Policisë:

“Rreth orës 21:00, në vendin e quajtur ‘Ura e qytetit’, aksi rrugor Bulqizë-fshati Peladhi, shtetasi E.Z., teksa drejtonte automjetin tip ‘Fuoristradë’, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga.

Si pasojë e këtij aksidenti tragjik, ka humbur jetën bashkëshortja e tij, shtetasja M.Z., rreth 31 vjeçe, ndërsa drejtuesi i automjetit dhe katër pasagjerë të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar drejt Tiranës për ndihmë të specializuar.”

Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e sakta të aksidentit. Paraprakisht, dyshohet se humbja e kontrollit mund të jetë shkaktuar nga shpejtësia ose kushtet e rrugës, por hetimet vijojnë për të zbardhur detajet e plota të ngjarjes.

Ky aksident është një tjetër sinjal alarmi për rëndësinë e respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor dhe kujdesin maksimal gjatë drejtimit të automjeteve, veçanërisht në akset me rrezik të lartë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit