

Dy turistë gjermanë, të cilët kishin humbur orientimin gjatë eksplorimit në mal në fshatin Labovë e Madhe, Odrie, janë shpëtuar nga Policia e Gjirokastrës në një operacion të suksesshëm të zhvilluar mbrëmjen e djeshme.
Rreth orës 21:00, shërbimet e Seksionit të Forcës së Posaçme “Shqiponja” morën një telefonatë urgjente nga dy turistët, të cilët kërkonin ndihmë pasi kishin mbetur të izoluar në terrenin e vështirë të malit, për shkak të errësirës dhe mungesës së orientimit.
Ekipet e policisë u nisën menjëherë drejt zonës për të lokalizuar dhe ndihmuar turistët e huaj.
Pas koordinimit të shpejtë dhe angazhimit maksimal, ata u gjetën dhe u transportuan të sigurt në automjetin e tyre në fshatin Labovë e Madhe.
Fatmirësisht, të dy turistët ishin në gjendje të mirë shëndetësore, raporton noa.al.
Turistët kanë shprehur mirënjohje ndaj shërbimeve të Policisë për ndihmën e dhënë në kohë rekord.
Policia e Gjirokastrës thotë se vijon të jetë e angazhuar maksimalisht në shërbim të qytetarëve dhe vizitorëve dhe i fton të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë, të kontaktojnë menjëherë në numrin pa pagesë 112. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd