

Biznesmeni suedez Carl Lundström, një nga themeluesit e faqes së famshme të ndarjes së skedarëve ‘The Pirate Bay’, ka humbur jetën në një aksident ajror në Slloveni. Lajmi është konfirmuar nga partia e ekstremit të djathtë Alternativa për Suedinë, në të cilën ai bënte pjesë.
Policia sllovene konfirmoi për AFP se një trup është gjetur në vendngjarje, duke dyshuar se bëhet fjalë për pilotin, një shtetas suedez, por nuk e identifikoi zyrtarisht në pritje të rezultateve të kërkimeve mjeko-ligjore.
Sipas autoriteteve, avioni i vogël Mooney M20, me të cilin Lundström ishte nisur nga Zagrebi i Kroacisë drejt Zyrihut në Zvicër, u rrëzua në një kabinë druri në zonën Velika Planina të Sllovenisë veriore, të hënën. Megjithatë, kushtet e këqija të motit e bënë të pamundur nxjerrjen e trupit deri të martën.
Alternativa për Suedinë e përshkroi Lundström si një “legjendë dhe veteran të nacionalizmit suedez” në një postim zyrtar, duke konfirmuar vdekjen e tij.
Lundström, 64 vjeç, ishte një figurë kontraverse në Suedi, i njohur si një nga mbështetësit financiarë të ‘The Pirate Bay’, platforma e cila, që nga themelimi i saj në 2003, u bë një nga faqet më të njohura për ndarjen e skedarëve, duke sfiduar ligjet e të drejtave të autorit në mbarë botën. Përpjekjet për të mbyllur faqen kanë vazhduar për dekada, pasi ajo lejonte shpërndarjen e muzikës, filmave, lojërave dhe përmbajtjeve të tjera përmes lidhjeve peer-to-peer.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd